'Ky është qyteti ynë, jo një projekt pa transparencë'/ Banorët e Durrësit kundër shpronësimeve: Askush nuk na ka dhënë njoftim zyrtar

Banorët e qytetit të Durrësit dolën sot në protestë, pas një vendimi për shpronësime që sipas tyre rrezikon shtëpitë ku jetojnë dhe që kanë investuar e mirëmbajtur për dekada.

Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga Bashkia apo Agjencia e Shpronësimeve dhe ndihen të tradhtuar nga mënyra si po menaxhohet projekti.

“Kjo është shtëpia ime, deri tek amfiteatri, dhe gjithë ky investim që shihni është bërë nga ne, me shpenzimet tona personale dhe mbështetjen e komunitetit. Nga ujërat e bardha, ujërat e zeza, ndriçimi, deri tek mirëmbajtja e përgjithshme gjithçka është financuar nga familjet tona”, thanë banorët.

Ata kërkojnë që projekti të rishikohet, duke theksuar se shtëpitë e tyre nuk janë ndërtuar në tokë të huaj, por janë pjesë e historisë së qytetit.

Banorët shprehen se janë të shqetësuar për mënyrën si po kryhen shpronësimet: “Ne sot protestojmë sepse e kemi parë veten në një listë shpronësimesh, pa që dikush të vijë në derë për të na njoftuar zyrtarisht. Nuk na është dhënë asnjë informacion nga institucionet, ndërkohë që gjithë kjo situatë ka krijuar konfuzion dhe frikë tek familjet tona.”

LEXO EDHE: 'Banorët e lagjes nr. 3 në Durrës kundërshtojnë shpronësimet', Berberi: Proces i padrejtë dhe pa transparencë, çmimet nën vlerën reale të tregut

Ata gjithashtu kundërshtojnë kategorikisht shembjen e banesave, duke e cilësuar si një veprim që dëmton historinë dhe identitetin e qytetit të Durrësit: “Ky është qyteti i vjetër i Durrësit, dhe ata që kanë hartuar dhe miratuar këtë projekt po shkatërrojnë historinë dhe investimet e komunitetit. Ne nuk do të qëndrojmë pa reaguar”, thanë protestuesit.

Banorët kërkojnë nga institucionet që të ketë transparencë, informacion të plotë dhe një rishikim të projektit për të ruajtur banesat dhe investimet e familjeve që kanë jetuar dhe kontribuar për këtë zonë për dekada.