Mbledhja e kryesisë/ Boçi: PD ka bërë analizë gjithmonë, është domosdoshmëri!

Drejtuesi politik i PD në Shkodër, njëkohësisht nënkryetar i kësaj force politike, Luçiano Boçi e cilëson domosdoshmëri, analizën për humbjen e rezultatit zgjedhor në ‘parlamentaret’ e 11 majit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve para takimit të mbledhjes së kryesisë së PD, Boçi tha se u takon demokratëve që përmes votës të bëjnë ndryshime në parti.

‘Pjesa e organizimit është e rëndësishme. PD e ka bërë analizën edhe kur ka humbur, është analizë e brendshme dhe domosdoshmëri.  Përcaktimi i situatave zgjedhore në një parti, respekton statusin, koha është afër dhe pas zbatimit të statusit dhe kohës që bëhen zgjedhje është vota e demokratëve ajo që zgjedh’, u shpreh Boçi.

Lidhur me mendimin ndryshe në parti, Boçi dha këtë përgjigje për gazetarët: ‘S’ka linjë, ka opinione. Opinionet ndonjëherë janë relative dhe jo absolute. Ka argumente që duhet të jenë në parlament nga pasoja që e kemi vuajtur si PD, me djegien e mandateve dhe mos-futjen në zgjedhjet lokale. Ka edhe opinione për mos-njohjen e këtij parlamenti apo edhe kundërshtimin për rezultatin zgjedhor’.