'Edhe vajzat duhet të mbajnë gjëra!': Si u bënë kaq të diskutueshme xhepat e grave

Pse pantallonat dhe xhaketat e burrave kanë gjithmonë xhepa të bollshëm, ndërsa ato të grave shpesh janë të vegjël, të cekët – ose thjesht të rremë? Për shekuj me radhë, një detaj i vogël si xhepi ka treguar shumë për ndarjet gjinore në modë.

Sot, kjo çështje është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes falë hashtagut #WeWantPockets, që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale. Video qesharake në TikTok ku gratë përpiqen të mbajnë sa më shumë sende në duar tregojnë një problem serioz: mungesën e xhepave në rrobat e tyre.

Xhepi si simbol pavarësie

Në shekujt XVI–XVII, gratë kishin xhepa të lidhur poshtë fundeve ku mbanin sende të vogla e të vlefshme. Por në fillim të shekullit XIX, me ardhjen e stilit të Regjencës, xhepat u zhdukën bashkë me një pjesë të autonomisë së tyre: pa xhepa, gratë u bënë më të varura nga burrat ose nga shërbëtorët.
Nuk është rastësi që edhe sufrazhetet e fillim-shekullit XX, përveç të drejtës për votë, kërkonin edhe xhepa – simbol i fuqisë praktike në jetën e përditshme.

Nga Chanel te Claire McCardell

Coco Chanel futi xhepat në modën e lartë, por ishte stilistja amerikane Claire McCardell që në vitet ’40 e bëri çështje parimore: rrobat duhet të ishin të bukura, por edhe funksionale. Për të, xhepi nuk ishte thjesht vend për sende, por edhe një mënyrë për të dhënë vetëbesim: të fusësh dorën në xhep do të thotë të kesh më shumë vetbesim.

Çanta kundër xhepit

Megjithatë, industria e modës kishte interesa të tjera. Shumë dizajnerë preferuan siluetën e “përsosur” femërore dhe mbështetën kulturën e çantës së dorës – një treg fitimprurës që ende sot gjeneron miliarda. Jo çuditërisht, xhepi u trajtua si luks, jo si domosdoshmëri.

A po ndryshon diçka?

Në sfilatat e fundit të Prada, Dior apo Louis Vuitton, u panë fustane e pallto me xhepa të thellë, duke dhënë shpresë për një ndryshim. Edhe sipërmarrëse si Julie Sygiel me The Pockets Project po krijojnë linja veshjesh me xhepa të mëdhenj, duke provuar se gratë i duan dhe i blejnë.

Por mbetet e paqartë nëse kjo është një rrymë afatgjatë apo thjesht një kapriço e radhës në ciklin e modës.

Lufta vazhdon

Një vajzë në shkollën tetëvjeçare në Britani i shkroi së fundmi një supermarketi: “Pse pantallonat e djemve kanë xhepa të vërtetë, kurse tonat jo? Edhe vajzat duhet të mbajnë gjëra!”. Pyetje e thjeshtë, por thelbësore.

Sepse, siç thotë autorja Elizabeth Evitts Dickinson:
“Ideja që një xhep në vitin 2025 ende shihet si aksesor, dhe jo si nevojë, është tronditëse.”