Kina dënon sulmet izraelite në Doha, kërkon negociata
Kina dënoi sot sulmet ajrore izraelite ndaj udhëheqjes së Hamasit në Doha dhe bëri thirrje për rifillimin e negociatave – për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe organizatës militante palestineze.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian tha se Kina ishte thellësisht e shqetësuar për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të tensioneve në rajon.
“Kina është e pakënaqur me veprimet e “palëve të caktuara” që po prishin negociatat për një armëpushim në Rripin e Gazës”, tha ai.
“Pekini u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara, veçanërisht Izraelit, të bëjnë më shumë përpjekje për të rifilluar negociatat”, tha Lin.Izraeli nisi dje sulme ndaj udhëheqjes së Hamasit në Doha, kryeqytetin e shtetit të Gjirit të Katarit.
Izraeli, prej kohësh, ka ushtruar presion mbi Katarin për të mbyllur zyrën e Hamasit në Doha, por shteti i Gjirit ka rezistuar, duke treguar rolin e tij si ndërmjetësues.
Ushtria izraelite ka shënjestruar vazhdimisht udhëheqësit e Hamasit që nga fillimi i luftës në Gazë, në tetor 2023.