Polonia kërkon të aktivizojë Nenin 4 të NATO-s! Tusk: 19 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore, hynë nga Bjellorusia

Polonia kërkoi të aktivizojë Nenin 4 të NATO-s.

Duke folur para deputetëve në parlament, kryeministri polak Donald Tusk tha: “Nuk ka dyshim se ky provokim është jashtëzakonisht më i rrezikshmi nga perspektiva e Polonisë sesa ato të mëparshmet.

Tusk tha se Polonia ka kërkuar aktivizimin e Nenet 4 të traktatit të NATO-s, i cili lejon vendet anëtare të paraqesin një çështje për Këshillin e Atlantikut të Veriut (organi kryesor politik vendimmarrës i NATO-s).

Më pas zhvillohen konsultime për të përcaktuar nëse është kërcënuar integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e një vendi anëtar.

“Fakti që këta dronë, të cilët paraqisnin kërcënim për sigurinë, u rrëzuan, e ndryshon situatën politike. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët morën formën e një kërkese zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, tha Tusk.

Tusk shtoi se pret mbështetje më të madhe gjatë këtyre konsultimeve.

“Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Kjo është një përballje që Rusia e ka shpallur kundër gjithë botës së lirë,” tha ai.

Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se ushtria polake regjistroi 19 shkelje të hapësirës ajrore të vendit nga dronë gjatë natës.

Duke folur para parlamentit polak, Tusk tha se tre – ose ndoshta katër – dronë u rrëzuan nga avionët polakë dhe ata të NATO-s, të cilët u ngritën për të përballuar kërcënimin.

Tusk shtoi se një numër i konsiderueshëm i dronëve hynë në vend nga Bjellorusia. Droni i fundit që u rrëzua ishte në orën 06:45 me orën lokale (05:45 BST), tha ai.

Ndërkohë agjencia e lajmeve Reuters publikoi imazhet e një droni të dëmtuar që u rrëzua nga autoritetet polake, pranë Zamosc, në jug-lindje të Polonisë.