PAMJE/ Pallati presidencial në Nepal digjet, Kryeministri në arrati mes revoltës popullore
Një politikan nepalez u ndoq nëpër rrugë nga një turmë protestuesish, ndërsa kryeministri i vendit u largua me nxitim përpara se pallati presidencial të digjej plotësisht.
Të rinjtë nepalezë po udhëheqin protesta të zemëruara në gjithë vendin kundër ndalimit të rrjeteve sociale, me dhunën që është përhapur në kryeqytet dhe qytete të tjera.
Pas momentit kur turma të zemëruara dogjën shtëpinë e KP Sharma Oli-t, pamje të reja tregonin Bishnu Prasad Paudel-in teksa ndiqej dhe sulmohej nga një turmë në rrugët e Katmandusë.
Në videon, Paudel, 65 vjeç, shihet duke vrapuar me shpejtësi, ndërsa dhjetëra persona e ndjekin. Një protestues që vinte nga ana tjetër i hidhet me këmbë, duke e përplasur fort mbi një mur të kuq.
Zyrtari i qeverisë ngrihet me shpejtësi, lëkundet, por nis sërish të vrapojë përpara se videoja të ndërpritet. Paudel, i cili shërben edhe si zëvendëskryeministër i vendit, ka qenë nën kritika të ashpra që kur mori drejtimin e çështjeve ekonomike të Nepalit vitin e kaluar.
Ndërsa kaosi përfshiu vendin aziatik, zjarre të pakontrollueshme u panë në mes të rrugëve, ndërsa protestuesit brohorisnin në grupe të mëdha.
Protestuesit i ushqyen flakët duke hedhur karrige, shtylla dhe sende të tjera të ndryshme, duke ndriçuar qytetin me një shkëlqim të frikshëm portokalli.
Pas pak, pamjet e makinave të djegura dhe ndërtesave të shkatërruara nisën të qarkullonin.
Pallati presidencial u rrafshua nga flakët, pasi protestuesit e zemëruar i vunë zjarrin. Tymi përfshiu Katmandunë, ndërsa policia e trazirave u qëllua me gurë dhe sende të rënda.
Portat e shtëpive private u hapën me forcë, ndërsa dyqane e banesa u përfshinë nga flakët, me dukje sikur s’kishte fund dhuna.
Më herët, Oli, 73 vjeç, kishte dhënë dorëheqjen një ditë pas një prej shtypjeve më të përgjakshme të viteve të fundit që la të paktën 19 të vdekur.
Ai kishte nisur mandatin e katërt vetëm vitin e kaluar, pas një marrëveshjeje koalicioni mes Partisë së tij Komuniste dhe Kongresit të qendrës së majtë nepaleze.
Dorëheqja e tij erdhi pasi edhe tre ministra të tjerë dhanë dorëheqjen, megjithëse qeveria e kishte hequr ndalimin mbi rrjetet sociale. Presidenti i vendit, Ram Chandra Poudel, ka nisur tani procesin e përzgjedhjes së një lideri të ri.
Kufizimet kishin nisur të premten, kur Nepali, vend me 30 milionë banorë, bllokoi Facebook-un, YouTube-in dhe X-in, bashkë me 26 platforma të tjera të paregjistruara.
Lëvizja nisi të hënën, kur qytetarët kërkuan t’i jepet fund ndalimit të rrjeteve sociale dhe qeveria të luftojë korrupsionin. Demonstratat vazhduan edhe pasi aplikacionet u rihapën.
Video të qarkulluara në TikTok, i cili nuk ishte i ndaluar, shfaqnin kontrastin mes stilit të jetesës së fëmijëve të zyrtarëve të qeverisë dhe qytetarëve të zakonshëm.
Burimi: Daily Mail
Përshtati: Syri.Net




