Historia mund të kishte qenë ndryshe, si e humbi Bayerni Lamine Yamal-in për një shumë ‘qesharake’

Në vitin 2022, drejtuesit e Bayernit udhëtuan drejt Katalunjës për të diskutuar një transferim të mundshëm të Gavi-t. Por, gjatë asaj vizite, vëmendjen e tyre e tërhoqi një djalosh vetëm 14-vjeçar. Në një video, ky talent i ri shfaqi cilësi “kurrë të parë në atë moshë”, sipas drejtuesve bavarezë. Emri i tij? Lamine Yamal, sot i konsideruar si ‘ylli’ më i madh i gjeneratës së tij.

I mahnitur, ish-drejtori sportiv Hasan Salihamidzic dhe krahu i tij Marko Neppe kontaktuan Ivan de la Peña-n, këshilltar i lojtarit, për të hapur një urë komunikimi me familjen. Por, vetëm disa muaj më vonë, situata ndryshoi rrënjësisht: Yamal vendosi t’i besonte interesat e tij Jorge Mendes-it. Superagjenti portugez vendosi një çmim simbolik prej 5 milionë eurosh për të bindur familjen, duke imponuar njëkohësisht kushte të forta. Në Munih, debatet e brendshme bënë që projekti të ndalej dhe në fund të braktisej.

Ndërkohë, Yamal vazhdoi rritjen e tij të rrufeshme te La Masia. Në prill 2023 debutoi me ekipin e parë në moshën vetëm 15-vjeçare dhe pak muaj më vonë firmosi kontratën deri në vitin 2026, me një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh, duke i shuar përfundimisht ëndrrat bavareze. Sot, kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2031, dëshmi e vendosmërisë së Barcelonës për ta mbajtur “perlën” e saj.

Tri vite më vonë, Yamal është tashmë mes më të mirëve në botë. Në moshën 18-vjeçare, ai renditet mes favoritëve për Topin e Artë 2025. Nëse Bayerni do të kishte vepruar ndryshe, historia e futbollit mund të ishte shkruar krejt ndryshe. Por për Barcelonën, ky mbetet shembulli më i mirë se si, pavarësisht vështirësive financiare, klubi di të mbrojë talentet e tij më të çmuara.