‘Ushqimi helmues po pushton Shqipërinë!’, Muçollari: Pa kontrolle dhe transparencë, qeveria mbyll sytë ndërsa qytetarët rrezikohen

I ftuar në emisionin e mëngjesit “KAFE SHQIPËTO” në Syri TV, Grigels Muçollari, kandidat për deputet i opozitës në qarkun e Tiranës, denoncoi mungesën totale të kontrollit dhe transparencës në tregun ushqimor shqiptar.

Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri, Muçollari theksoi se institucione shtetërore nuk po kryejnë detyrën e tyre ligjore për t’i informuar qytetarët dhe për të garantuar sigurinë e ushqimit që konsumojmë, duke rrezikuar kështu shëndetin e qytetarëve dhe të fëmijëve tanë.

Ai ngriti shqetësime të forta për lehtësimin e importit të pesticideve të ndaluara në BE dhe mungesën e masave për pastrimin e tokës shqiptare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe reforma të thella në sektorin bujqësor.

Pjesë nga deklarata:

Kjo situatë ka kohë që vazhdon. Në mungesë të analizave dhe komunikimit me publikun nga institucionet shtetërore, të cilët e kanë detyrë ligjore, nuk kuptojmë me çfarë ushqehemi ne dhe fëmijët tanë.

E konsideroj tërësisht kriminale këtë situatë, e zgjatur ndër vite; është një situatë që po ndikon në rritjen e fëmijëve dhe lidhet drejtpërdrejt me atë që konsumojnë. Përveç institucioneve që nuk funksionojnë dhe nuk japin informacion se çfarë qarkullon në tregjet tona, duke përfshirë edhe produktet që prodhohen në vend, por edhe ato të eksportit, duhet thjesht vullnet. Nuk duhen shumë para, dhe e kështu kanë zgjidhur edhe vendet fqinje, si Kosova. Kosova reagoi menjëherë për situatën e domateve dhe tha se këto produkte nuk do të hyjnë në territorin tonë pasi kemi prodhim vendas. Po të shohësh, reagon edhe Bosnja dhe Hercegovina, një vend i vogël me probleme, që ka institucione, ndërsa këtu nuk ka si.

Kam përshtypjen se, përveçse është e qëllimshme, ka humbur i gjithë kontrolli mbi territorin, dhe kjo është një situatë e rrezikshme, pasi do të duhet shumë kohë për të reaguar. Qeveria nuk e ka mendjen të bëjë reforma për të reaguar në këtë fushë, por mjaftohet me aksione dhe gjoba ndaj tregtarëve të vegjël, masa shtrënguese të cilat nuk kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemit. Kjo ndikon jo vetëm tek fermerët, por edhe tek tregtarët e vegjël. Nuk duan të shohin thelbin e problemit dhe lëshojnë inspektorët për të vendosur ose për të marrë gjoba.

Kur shteti nuk jep suport, kontroll dhe asistencë ndaj fermerit, sjell problem me shëndetin tek konsumatori dhe dëm ekonomik ndaj fermerit. Çfarë ndodh? Ndodh që shumë pesticide, të cilat janë të ndaluara në BE, pasi ndalohen, u jepet një kohë 6 muajsh vendeve që duhet t’i shesin. Brenda 6 muajsh, Shqipëria përdoret si vend i tretë ku blen sasi shumë të mëdha, si pasojë e uljes së madhe të çmimeve. Ai që blen për 5-6 vite, që do të thotë se mbështet fermerin në Shqipëri, nuk është në dijeni të informacionit, dhe kur shkon në BE thonë se nuk është e lejuar dhe prodhimi kthehet mbrapsht ose ekzekutohet.

Kostot i paguan fermeri, si për ekzekutimin, ashtu edhe për kthimin mbrapsht. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: mjafton që qeveria, që ditën që institucionet e BE-së vendosin pesticide të ndaluara, të ndalojë eksportin. Por, duke qenë se këtu përfitojnë njerëz të lidhur me qeverinë drejtpërdrejt, atëherë këto lejohen, ndërkohë që nuk ka asnjë plan për pastrimin e tokës shqiptare. Realisht, toka jonë ka përmbajtje të larta të pesticideve të përdorura ndër vite, siç ishte rasti i metaleve.