Kualifikueset e Amerikës së Jugut/ Argjentina dhe Brazili e mbyllin keq, Bolivia në playoffs
Raundi i fundit i supergrupit të Amerikës së Jugut për kualifikueset e Botërorit 2026 dha verdiktin e fundit: Bolivia do të marrë pjesë në “play offs” ndërkontinentalë. Fitorja 1-0 ndaj Brazilit të Carlo Ancelottit (me penallti të shënuar nga Miguelito) i dha vendin e shtatë, duke përfituar edhe nga disfata 6-3 e Venezuelës kundër Kolumbisë. Me humbje mbylli edhe Argjentina, 1-0 në Ekuador, ku vendosi penalltia e Valencia-s.
Bolivia – Brazil 1-0
Për herë të parë që nga viti 2009, Brazili pëson humbje në fushën e Bolivisë, duke mbyllur fazën kualifikuese të Kupës së Botës 2026 me rezultat negativ. Për skuadrën e Ancelotti-t, kjo disfatë 1-0 sjell zbritjen në vendin e pestë të renditjes. Goli i vetëm erdhi në kohën shtesë të pjesës së parë, kur Miguelito shënoi nga pika e bardhë, duke i dhënë Bolivisë biletën për “playoffs”. Për Ancelottin kjo ishte humbja e parë si trajner i “Seleçaos”, pas dy fitoreve dhe një barazimi në ndeshjet e mëparshme.
Ekuador – Argjentinë 1-0
Edhe pse dominuan gjatë gjithë kualifikueseve, kampionët e botës e mbyllën me humbje. Pa Messin në fushë, “Albiceleste” u dorëzua 1-0 në Ekuador, ku penalltia e Valencia-s në fund të pjesës së parë vendosi ndeshjen. Lautaro Martinez (luajti 63 minuta) dhe shokët e tij nuk gjetën dot reagim. Ndeshja përfundoi me nga një lojtar më pak për secilën skuadër, pas ndëshkimeve me karton të kuq të Otamendi-t (31’) dhe Caicedo-s (50’). Me këtë fitore, “Tricolor” u ngjit në vendin e dytë në renditje, pavarësisht penalizimit me tri pikë. Kuriozitet: në mungesë të Messit, fanellën me numrin 10 e mbajti talenti i ri i Real Madrid-it, Mastantuono.
Kili – Uruguai 0-0
I eliminuar prej kohësh, Kili e mbylli grupin në vendin e fundit, pas barazimit pa gola 0-0 me Uruguain. Skuadra e Marcelo Bielsa-s, megjithatë, siguroi vendin e katërt, edhe pse ndeshja në Santiago nuk ofroi emocione.
Peru – Paraguai 0-1
Edhe Peruja e dinte që nuk kishte më shanse. Ajo u rendit e parafundit, pasi u mund 1-0 nga Paraguai. Golin vendimtar për “Albirroja” e shënoi Galarza në minutën e 78’, pas asistit të Juan Caceres (lindur në vitin 2000). Falë këtij suksesi, Paraguai e mbylli në vendin e gjashtë.
Venezuelë – Kolumbi 3-6
Venezuela pësoi një katastrofë që i kushtoi kualifikimin për “playoffs”. Humbja 6-3 kundër Kolumbisë e zbriti në vendin e tetë, duke i hapur rrugën Bolivisë. Skuadra e Batista-s nisi mirë, duke kaluar dy herë në avantazh me Segovia (3’) dhe ish-sulmuesin e Torinos, Josef Martinez (12’). Por Kolumbia reagoi fuqishëm: Mina barazoi (10’), ndërsa një Luis Suárez i papërmbajtshëm realizoi katër gola (42’, 50’, 59’, 67’), përpara se Cordoba të shënonte të gjashtin (78’). Goli i Rondon (76’) vlejti vetëm për ta zbutur disfatën. Kolumbia e mbylli në vendin e tretë.