Starmer: Sulmi izraelit në Doha rrezikon përshkallëzim në gjithë rajonin

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka dënuar sulmin izraelit ndaj Katarit, duke shkruar në një postim në X se ai shkel “sovranitetin e Katarit dhe rrezikon përshkallëzim më të gjerë në rajon”.

Starmer pritet të zhvillojë bisedime nesër në Downing Street me presidentin izraelit, Isaac Herzog.

Zyra e Kryeministrit tha se Starmer do të ngrejë çështjen e “situatës së papranueshme në Gaza” dhe “veprimet që Izraeli duhet të ndërmarrë për të ndalur vuajtjet e tmerrshme që po ndjekim” gjatë takimit me presidentin izraelit.

Gjashtëdhjetë deputetë dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve i kanë bërë thirrje qeverisë që t’i refuzojë hyrjen Herzogut në Mbretërinë e Bashkuar, për të shmangur rrezikun e përfshirjes në gjenocid në Gaza, sipas kushteve të një traktati të OKB-së.

Më 9 shtator, Izraeli ndërmori një sulm të paprecedentë në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke goditur udhëheqësit e Hamasit që ndodheshin aty. Sipas deklaratave të Hamasit, ekipi drejtues i negociatave arriti të shpëtojë nga sulmi, megjithëse humbën jetën gjashtë persona, përfshirë edhe një pjesëtar të forcave të sigurisë së Katarit.

Ky sulm ka ngjallur reagime të menjëhershme ndërkombëtare. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për BBC-në se SHBA ishte “njoftuar” paraprakisht për operacionin, por më vonë vetë Shtëpia e Bardhë deklaroi se sulmi “nuk i shërben qëllimeve as të Izraelit, as të Amerikës”. Në një deklaratë, presidenti amerikan Donald Trump u zotua para udhëheqësve të Katarit se “një ngjarje e tillë nuk do të përsëritet në territorin e tyre”.

Katari, i cili ka luajtur një rol kyç si ndërmjetës në negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit, e ka cilësuar sulmin si një “shkelje të hapur” të ligjit ndërkombëtar dhe një sulm kundër sovranitetit të tij. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë të qartë se nuk do të ketë më “imunitet” për udhëheqësit e Hamasit, duke sinjalizuar një përshkallëzim të strategjisë ushtarake të Izraelit ndaj grupit militant.

Ky incident rrit tensionet në një rajon tashmë të trazuar dhe nxit shqetësime për një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke ngjallur reagime nga liderë ndërkombëtarë, përfshirë Kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili ka paralajmëruar për rrezikun e një “eskalimi më të gjerë rajonal”.