‘Kemi kalanë, por s’kemi kala’/ Kokalari: Qyteti po degradon, turizmi është vetëm një fasadë

Inxhinieri i IT dhe programuesi Emin Kokalari ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të qytetit të Gjirokastrës, duke e cilësuar situatën si degradim total të infrastrukturës dhe mosfunksionim të institucioneve lokale.

I ftuar në emisionin ‘A Krasta Show’, ai u shpreh bashkia është inekzistente, ndërsa problemet bazike si ujërat e zeza, rrugët apo këndet e lojërave, mbeten të pazgjidhura prej vitesh.

Sipas Kokalarit, turizmi në Gjirokastër po përdoret si justifikim për gjithçka, por në realitet është i kufizuar vetëm në një sipërfaqe të vogël të qytetit, pa ndikuar në përmirësimin e jetës për banorët e lagjeve të tjera.

Emin Kokalari: Problemi në Gjirokastër nuk qëndron vetëm tek ujërat e zeza apo problematikat bazike të cilat nga sa e dinë të gjithë gjirokastritet këtu, bashkia është inekzistente. Për mua personalisht, puna që po bëj aktualisht nuk është aspak e vështirë për arsye se unë jam një person që e dashuroj qytetin ku jetoj dhe dua që turizmi të shikojë vlerat kulturore, vlerat arkitekturore të qytetit tonë.

Por, Gjirokastra së fundmi është një qytet në të cilin ka degraduar thuajse çfarëdo lloj gjëje. Ne e kemi kalanë, por nuk kemi kala. Ne kemi kënd lojërash për fëmijët, por nuk kemi kënd lojërash për fëmijët. Këtu bëhen punime...sot bëhet një rrugë, nesër bie. Këtu nuk funksionon asnjë lloj institucioni ashtu siç duhet të funksionojë.

Këtu është një problem shumë i madh që mua më bën shumë çudi, për mosveprimin e institucioneve dhe indinjatës qytetare. Sepse ka arritur në një pikë, ku këtu siç themi ne, ka arritur në një pikë ku ‘nuk mban më ujë pilafi’, njerëzit janë të tmerruar për gjendjen e qytetit, po na vështirësojnë jetën.

Fjalën e parë që këta kanë, është që çfarëdo lloj gjëje bëhet në saj të turizmit, ku në të vërtetë, sipas mendimit tim turizmi në Gjirokastër është një fasadë e një zone 500-700 metra katrorë që është në zonën e pazarit turistik dhe nuk përfiton nga ky turizëm asnjë lagje tjetër.