Vuçiç thotë se gaboi që i quajti eurodeputetët 'llum': Janë më shumë se aq

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka bërë një deklaratë kontroverse pas fjalimeve të përfaqësuesve të pesë partive opozitare serbe në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku ata kërkuan sanksione kundër tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë për shkelje të demokracisë dhe abuzime me pushtetin.

Në një intervistë për Prva Television, Vuçiç i quajti përfaqësuesit opozitarë të pa besueshëm moralisht dhe hodhi poshtë kërkesat e tyre, duke i akuzuar se janë kundër shtetit dhe popullit. Ai pretendoi gjithashtu se opozita nuk ka program apo ide, dhe i quajti eurodeputetët e Partisë së Gjelbër Evropiane “llum”, duke e përkeqësuar kështu imazhin e tij në arenën ndërkombëtare.

Deklaratat e Vuçiçit përfshijnë gjithashtu justifikime për takimet me presidentët e Rusisë dhe Kinës, duke theksuar nevojën për energji dhe gaz për Serbinë, ndërsa kritikat për këto takime i quajti sulme të Perëndimit. Analistët vlerësojnë se kjo përqendrim tek çështjet energjetike dhe aleancat ushtarake rajonale tregon një qasje të tensionuar dhe populiste, e cila rrit izolimin e Serbisë në Evropë.

Vuçiç nuk nguroi të komentojë protestat antiqeveritare në Nepal, duke i krahasuar ata që kërkojnë liri dhe ndryshim me “bretkosa që duan të vënë patkoi vetes”, një metaforë e rëndë që nxjerr në pah arrogancën dhe mungesën e respektit për protestuesit dhe të drejtën për kritikë.

Ndërkohë, ai paralajmëroi për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Serbisë, duke e prezantuar këtë si një kërcënim të jashtëm që justifikon politikën e tij agresive dhe retorikën e tensionuar. Vuçiç gjithashtu njoftoi paradën ushtarake më 20 shtator, duke e përdorur për propagandë dhe për të mbajtur popullin nën frikë dhe kontroll.

Analistët politikë paralajmërojnë se kombinimi i fyerjeve ndaj opozitës, retorikës agresive ndaj Perëndimit dhe glorifikimit të ushtrisë mund të çojë Serbinë drejt një izolimi diplomatik dhe destabilizimi të brendshëm politik, duke i vënë qytetarët dhe stabilitetin e vendit në rrezik.