Dervishi: Reforma në drejtësi i hapi mundësi McGonigalit për të bërë lekë, shifra deri në 500 mijë euro për vetingun
Çfarë mundësish i solli reforma në drejtësi ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal? Kjo pyetje mbetet thelbësore sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, i cili ngre dyshime për mënyrën sesi është përdorur reforma si instrument politik dhe financiar.
Duke folur në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Dervishi u tha se, ‘çfarë do të thotë, kur McGonigal thotë se krijohen shumë mundësi, pra reforma në drejtësi krijon shumë mundësi. Çfarë janë këto mundësi? Kjo është historia që ne duhet të kuptojmë dhe e vërteton që hetimi duhet të shkojë dhe në këtë drejtim, nëse një ditë SPAK do e marrë seriozisht hetimin e çështjes McGonigal’.
Sipas tij, reforma në drejtësi u shitet qytetarëve dhe ndërkombëtarëve si një proces demokratik, por në fakt është kthyer në një mekanizëm për interesa të fshehta.
‘Ideja është se krijohet një gjë e madhe, në një vend që për mua e drejton mafia, dhe do bëjmë reformën në drejtësi. Kjo tingëllon shumë bukur për popullin, për Europën, për Amerikën etj., por ustallarët kanë mendime në një gjatësi vale që fillon nga pozitivja në negative,’ theksoi ai.
Më tej, Dervishi ngriti dyshime se vetingu është shfrytëzuar financiarisht:
‘Mundësitë janë që ti të vish nga Amerika dhe të bësh ca lek. Që siç e tha prokurori me takime në Belsh, me prokurorë dhe gjykatës për të kaluar vetingun, por unë kam dëgjuar për shifra që variojnë nga 500 mijë në 1 milionë euro për të kaluar vetingun. Kjo është historia e shtetit mafioz, se si e përdor reformën në drejtësi, që nga njëra anë u hedh hi në sy popullit, Amerikës e BE-së, dhe nga ana tjetër bën punët e veta të pista që bën pastrimin e drejtësisë që ia mendon se i ka kundër dhe janë të opozitës.’
Në përfundim, analisti ngre pyetjen e madhe: a ka fuqi SPAK të shkojë deri tek Edi Rama?
‘Ne po shohim se SPAK nuk ka fuqi të shkojë te kryeministri. Ai ka thënë larg telefonit tim celular,’ deklaroi Dervishi.
Çështja McGonigal, lidhjet e tij me Edi Ramën dhe pas publikimit të dokumenteve të reja edhe me reformën në drejtësi mbetet një pikë e errët, që sipas gazetarit Ferdinand Dervishit duhet hetuar thellë, nëse drejtësia shqiptare do të provojë ndonjëherë se është e pavarur.