Avioni që lëshoi 6 ton karburant mbi banesa, Delta Airlines do të paguajë 78 milionë dollarë
Pesë vite pas një prej incidenteve më të bujshme në historinë e aviacionit amerikan, kompania ajrore Delta Airlines ka pranuar të paguajë 78,75 milionë dollarë si dëmshpërblim për banorët e prekur nga hedhja masive e karburantit mbi zona të banuara në Kaliforni.
Ngjarja ndodhi në janar të vitit 2020, në një kohë kur bota sapo kishte nisur të përballej me një virus ende të panjohur, që më vonë do të shndërrohej në pandeminë globale të COVID-19.
Një avion i kompanisë Delta, i nisur nga aeroporti i Los Anxhelosit me destinacion Shanghain, hasi probleme që në ngritje për shkak të peshës së tepërt. Për të shmangur një ulje emergjente me karburant të plotë, piloti vendosi të shkarkonte mbi 6 tonë karburant në ajër.
Por manovra u krye në një lartësi shumë të ulët dhe mbi një zonë të populluar. Dhjetëra mijëra banesa, oborre dhe shkolla në lagjet përreth aeroportit u spërkatën me karburant, duke shkaktuar shqetësim të madh mes banorëve. Disa fëmijë dhe mësues raportuan irritime në lëkurë dhe probleme të frymëmarrjes, ndërsa komuniteti u ngrit në protesta kundër kompanisë.
Banorët e prekur ngritën një padi kolektive, duke akuzuar Delta Airlines për neglizhencë. Ata argumentuan se kompania kishte alternativa më të sigurta, si hedhja e karburantit mbi Oqeanin Paqësor ose djegia graduale e tij gjatë fluturimit në qarqe mbi hapësira të pabanuara. Procesi gjyqësor zgjati pesë vite dhe solli një betejë të ashpër ligjore mes avokatëve të banorëve dhe mbrojtjes së kompanisë.
Në fund, Delta pranoi marrëveshjen për pagesën e 78,75 milionë dollarëve (rreth 67 milionë euro), shumë që do të shpërndahet mes familjeve dhe pronarëve të prekur nga incidenti.
Megjithatë, kompania vijon të mbrojë pilotët e saj. Në një deklaratë publike, Delta theksoi se ekuipazhi veproi ‘sipas manualeve të trajnimit dhe rregullave federale të aviacionit’. Edhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), pas një hetimi të plotë, shfajësoi pilotët duke deklaruar se ata nuk kishin shkelur asnjë protokoll.
Rasti i Delta Airlines është kthyer në një shembull të debatit mes sigurisë së fluturimit dhe shëndetit publik në tokë. Ndërsa pilotët u gjykuan të pafajshëm nga autoritetet e aviacionit, kompania mbeti përgjegjëse për dëmet e shkaktuara tek komunitetet.
Ky incident ka hapur diskutime për protokolle më të rrepta mbi mënyrën dhe vendet ku lejohet shkarkimi i karburantit, sidomos në rastet emergjente, ku vendimet merren në sekonda, por pasojat mund të zgjasin me vite.