SYRI TV/ Rama: 10 vite burg për ndërtim pa leje dhe sekuestrim banese

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kanë paralajmëruar ndryshime të ashpra në Kodin penal, për të dënuar këdo që bën një shtesë apo ndërton pa leje. Ndërsa kryeministri Edi Rama i cilësoi të papranueshme ndërtimet pa leje, Ulsi Manja njoftoi se Kodi i ri Penal parashikon në maksimum 10 vite burg dhe objekti, qoftë banesë apo biznes do të sekuestrohet. Për zjarrëvënien, kryeministri Edi Rama kërkoi që të trajtohen njëlloj si vrasësit dhe për ta të ketë dënime ekstreme.

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantuan ndryshimet e reja në Kodin Penal, që parashikojnë deri në 10 vite burg dhe sekuestrim objekti për këdo që bën shtesë apo ndërtim pa leje. Ndryshimet në Kodin Penal pritet të miratohen në muajin tetor. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi se sekuestrimi i gjithë objektit do të ndodhë në rastet kur punimet pa leje janë në masën 10 për qind, ndërsa burgimet deri në 10 vite parashikohen në rastet kur ndërtimet pa leje bëhen në zona të mbrojtura.

Kryeministri Edi Rama njoftoi edhe krijimin e një "liste të zezë" për ndërtuesit që devijojnë dhe nuk respektojnë projektin, të cilët do të përjashtohen për një kohë të caktuar nga marrja e lejes së ndërtimit. Shefi i qeverisë shigjetoi sërish bizneset e vogla që zënë hapësirat publike me shtesa, duke i kërcënuar me ndërprerje të ujit dhe energjisë elektrike.

Rama kërkoi dënime maksimale edhe për zjarrvënësit, duke kërkuar që ndaj tyre të aplikohen dënime të njëjta si për vrasjet.

Ndër të tjera, qeveria parashikon që të vendosë një inspektor të posaçëm për çdo leje ndërtimi, i cili do të mbikëqyrë të gjithë procesin deri në dorëzimin e godinës. Ndryshimet e reja parashikojnë edhe ndjekje penale për arkitektët, të cilët nuk denoncojnë deformimet e projektit.