'Shteti ka braktisur fermerët!', Vuksani: AKU jo funksional, pesticidet e ndaluara qarkullojnë lirshëm!
I ftuar në intervistën e mesditës, drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, foli në lidhje me situatën alarmante të eksporteve shqiptare drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pas rasteve të përsëritura të bllokimit të produkteve bujqësore për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve dhe metaleve të rënda.
Vuksani ngriti alarmin për mungesën e kontrollit shtetëror dhe përgjegjësinë direkte të institucioneve, të cilat sipas tij kanë braktisur fermerët dhe kanë lejuar futjen në treg të preparateve të ndaluara në BE. Ai theksoi se fermerët janë viktimat e një sistemi të kalbur që nuk ofron as këshillim, as analiza të thelluara, duke rrezikuar shëndetin publik dhe duke diskredituar produktet shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Në vijim, Vuksani bëri thirrje për një analizë kombëtare të tokës dhe për ndërhyrje urgjente të shtetit në mënyrë që të parandalohet një krizë e thellë në bujqësi dhe në sigurinë ushqimore të vendit.
Pjesë nga deklarata:
Ky është një lajm shumë i keq për eksportet shqiptare, sepse është vendosur një procedurë e re për mallrat që hyjnë në Bashkimin Evropian. Analiza dhe marrja e mostrave në çdo pikë kufitare bëhen mbi bazën e analizës së riskut. Kroacia tashmë e ka avancuar këtë proces dhe për Kroacinë, Shqipëria konsiderohet si një vend me rrezik të lartë. Për pasojë, mostrat merren vazhdimisht dhe analizat realizohen si rezultat i këtij niveli të lartë risku që paraqesin prodhimet shqiptare.
E njëjta situatë mund të ndodhë edhe me shtete të tjera të BE-së, nëse ky fenomen përsëritet. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në imazhin dhe besueshmërinë e produkteve tona në tregjet ndërkombëtare.
Momenti i dytë shqetësues është se gjithë propaganda qeveritare bie poshtë, sepse ky fenomen i niveleve të larta të pesticideve godet mbi kurrizin e fermerëve, të cilët janë më të pafajshmit. Politikat qeverisëse zakonisht godasin më të dobëtin, më të pambrojturin dhe në këtë rast, është pikërisht fermeri.
Në radhë të parë, mungon këshillimi i duhur për fermerët. Shteti shqiptar, megjithëse me ligj ka themeluar një organizëm këshillues në të gjithë vendin, ai nuk funksionon si duhet. Mungon ndjeshëm faza e këshillimit dhe kontrollit. Po ashtu, mungon kontrolli mbi preparatet kimike që hyjnë në tregun shqiptar. Është e pafalshme që në tregun tonë të shiten produkte për mbrojtjen e bimëve që janë të ndaluara në BE. Ky nuk është faji i fermerëve, por faji i shtetit.
Jemi në një gjendje alarmante, sidomos sa i përket shëndetit publik. Të rinjtë tanë janë gjithnjë e më shumë të prekur nga sëmundje kancerogjene dhe shifrat janë në rritje.
Rasti i fundit i specave të kapur në Slloveni tregon një tjetër nivel shqetësimi. Ato nuk kishin vetëm një insekticid të rrezikshëm, por tre lloje të ndryshme substancash të dëmshme, të gjitha mbi normën e lejuar. Këto janë tre helme që hyjnë në organizëm kur konsumohen. Për herë të parë është kapur edhe prania e metaleve të rënda, çka e rrit edhe më shumë rrezikun.
Çdo produkt që eksportohet jashtë vendit duhet të ketë certifikatë fitosanitare, por zakonisht kjo lëshohet pa analiza të thelluara nga agronomët. Ajo mbështetet thjesht në vëzhgim vizual apo shijim, gjë që nuk garanton përqindjen reale të pesticideve në produkt. Kjo është tepër e rrezikshme.
Prania e metaleve të rënda është një tjetër alarm. Rasti i nikelit të gjetur tek pjeshkët mund të ketë ardhur ose nga toka, ose nga uji i ujitjes. Nëse tokat bujqësore janë të ndotura me metale të rënda, është shumë e vështirë që ato të kthehen në tokë të kultivueshme. Shumë prej këtyre tokave janë ndotur që në kohën e komunizmit dhe vazhdojnë të ndotin edhe sot ujërat e ujitjes.
Rekomandimi urgjent që duhet të bëhet menjëherë është kryerja e një analize kombëtare të tokës. Sipas informacionit që kam, analizat e fundit të tokës janë kryer gati 40 vite më parë. Kjo do të thotë se nuk kemi informacion të saktë se si ka ndryshuar struktura dhe përbërja e tokës në dekadat e fundit.
Duhet të hartohet një plan kombëtar për analizën dhe klasifikimin e tokave. Ato toka që rezultojnë të ndotura me metale të rënda nuk duhet të kultivohen, pasi nuk mund të prodhojnë ushqime të sigurta për konsum, as për tregun vendas, as për eksport.
Në media diskutohet për kapjen e një sasie në Slloveni, në Kroaci, por realisht kjo është një fatkeqësi për ne, sepse nuk kemi laboratorë të specializuar që t’i zbulojnë këto probleme brenda vendit.
Çfarë po konsumojnë shqiptarët? Sa kanë konsumuar nga këto produkte? Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në momentin që po flasim është praktikisht i paralizuar dhe jo funksional.