Kryeministri francez jep dorëheqjen! Ministri i Brendshëm: Na duhet urgjentisht një kryeministër, rrezikojmë trazira
Kryeministri i Francës, François Bayrou, ka dorëzuar dorëheqjen e tij te presidenti Macron, pas humbjes në një votim të besimit në Kuvendin Kombëtar të hënën, më 8 shtator 2025.
Ai mori vetëm 194 vota mbështetje, ndërsa 364 deputetë votuan kundër tij, duke shënuar një humbje të thellë për qeverinë e tij.
Ky zhvillim shënon fundin e një periudhe të shkurtër në pushtet për Bayrou, i cili ishte emëruar kryeministër në dhjetor 2024 nga presidenti Emmanuel Macron pas shpërbërjes së Kuvendit Kombëtar.
Takimi me Macron zgjati rreth një orë e gjysmë.
Aktualisht, Bayrou mbetet kryeministër në dorëheqje për të menaxhuar detyrat e përditshme, deri në emërimin nga Macron të pasuesit të ri, i cili do të jetë kryeministri i pestë francez që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit në vitin 2022.
Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, deklaroi se vendi “ka nevojë urgjentisht për një kryeministër” përballë “rrezikut të trazirave” në protestat e planifikuara në shtator, duke nisur me atë të lëvizjes “Bllokojmë gjithçka”, e parashikuar për nesër.
Retailleau, që është edhe kryetar i partisë Les Républicains, e konsideron “urgjente” emërimin e një kryeministri, pasi “nuk duhet të ketë vakum pushteti” në prag të protestave dhe përballë “një shtatori të favorshëm për çdo lloj trazirash”.
“Kemi nevojë shumë shpejt për një kryeministër, që pushteti të jetë i dukshëm. Është me rëndësi kapitale, edhe për çështjen e ruajtjes së rendit”, shtoi Retailleau para gazetarëve. “Përsërisim – për ne është e paimagjinueshme që presidenti të zgjedhë një kryeministër socialist.”
Emri më i përfolur gjatë orëve të fundit si pasues i Bayrou është ai i ministrit të Mbrojtjes, Sébastien Lecornu. Një emërim i shpejtë do t’i lejonte Macron-it të mos përballej i vetëm me protestën e nesërme “Bloquons tout”, e lindur nga rrjetet sociale. Kjo protestë do t’i paraprijë mobilizimit sindikal të 18 shtatorit. Mes këtyre dy datave kyçe, pritet edhe vendimi i agjencisë Fitch, e cila të premten mund të ulë vlerësimin e kredisë së Francës, duke rritur tensionin në tregjet financiare.
Një mundësi tjetër është emërimi i kryeministrit deri në fund të javës, në mënyrë që qeveria të jetë e plotë kur Macron të udhëtojë për në Nju Jork, ku më 22 dhe 23 shtator do të njohë në OKB shtetin e Palestinës. Nuk parashikohen konsultimet tradicionale në Elize.