Gratë që bëjnë skanime CT përpara shtatzënisë, rrezikojnë aborte ose foshnje me defekte të lindjes

Gratë që i nënshtrohen skanimeve CT pak para se të mbeten shtatzënë, mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë abort dhe të lindin foshnje me defekte të lindjes, sugjeron një studim i ri.

Skanimet me tomografi të kompjuterizuar (CT) përdoren për të diagnostikuar mpiksjet e gjakut, hemorragjinë, kancerin dhe probleme të tjera shëndetësore që kërcënojnë jetën, por ato gjithashtu i ekspozojnë pacientët ndaj rrezatimit jonizues, në nivele që lidhen me një rrezik më të lartë për kancer.

Duke pasur parasysh gjetjet e reja, do të nevojiten kërkime shtesë për të konfirmuar nëse rreziqet në rritje të shtatzënisë janë për shkak të efekteve të vetë skanimeve, apo të problemeve të dyshuara shëndetësore që i shtyjnë njerëzit t'i kryejnë ato.

Pavarësisht përgjigjes, ekipi kanadez i kërkimit argumentoi se format alternative të imazherisë mjekësore, duhet të kenë përparësi për gratë e reja që mund të jenë ose së shpejti do të mbeten shtatzëna.

Studimi, i cili u botua në revistën Annals of Internal Medicine, përfshinte të dhëna për më shumë se 5.1 milion shtatzëni dhe 3.4 milion lindje të gjalla në Kanada midis viteve 1992 dhe 2023.

U zbulua se sa më shumë skanime CT që u nënshtroheshin gratë para se të mbeteshin shtatzënë, aq më shumë gjasa kishin që ato të përjetonin abort ose defekte të lindjes.

Për shembull, midis grave që i ishin nënshtruar tre ose më shumë skanimeve CT në muajin para se të mbeteshin shtatzënë, shkalla e aborteve spontane ishte 142 për 1,000 shtatzëni, dhe shkalla e anomalive kongjenitale ishte 105 për 1,000 lindje.

Për gratë që nuk i janë nënshtruar një skanimi CT përpara shtatzënisë, këto norma ishin përkatësisht 101 dhe 62.

Veçanërisht, gratë që ishin duhanpirëse ose kishin diabet, tension të lartë ose obezitet - të gjithë faktorë rreziku për rezultate të dobëta në lindje - kishin më shumë gjasa t'i nënshtroheshin skanimeve CT sesa gratë më të shëndetshme.

Studiuesit vunë re gjithashtu se kishte boshllëqe në të dhënat mbi ekspozimin e grave ndaj skanimeve CT gjatë gjithë jetës dhe se probleme të tjera mjekësore themelore, mund të kontribuonin në rezultatet e lindjes së tyre.

 “Duket mjaft e mundshme që gratë që bëjnë një skanim CT një muaj para ngjizjes kanë tashmë një lloj problemi shëndetësor që ka çuar në nevojën për një skanim CT në radhë të parë”, tha Derek Hill, një profesor i shkencës së imazherisë mjekësore në University College London, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

Megjithatë, autorët e studimit thanë se mjekët duhet të marrin në konsideratë, "metoda alternative të imazherisë... kur është e përshtatshme".

Gjetjet janë “mjaftueshëm të rëndësishme saqë modalitetet e tjera të imazherisë jo-jonizuese, të tilla si MRI dhe ultratingujt, mund të duhet të kenë përparësi për gratë në moshë riprodhuese ose që planifikojnë të ngjizin”, tha Simon Jolly, një profesor i fizikës viscerale në University College London, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

Ai tha se studime të mëtejshme duhet të shqyrtojnë, nëse gjetjet qëndrojnë në grupe të tjera pacientësh./ Euronews.