SYRI TV/ Përdhoset figura e Charles Telford Erickson, qeveria propagandë, Diplomati: Kinemaja, ngelur në mëshirë të fatit
Në Golem u zhvillua një aktivitet për Charles Telford Erickson, figurë e rëndësishme e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por vetëm pak metra larg shkollës që mban emrin e tij, ndodhet kinemaja e ndërtuar nga amerikanët, sot e shkatërruar. Diplomati Mal Berisha, studiues i veprës së tij, ka ngritur zërin duke e cilësuar këtë gjendje një katastrofë dhe një mungesë respekti ndaj trashëgimisë së Ericksonit.
Syri tv
Në Golem u zhvillua një aktivitet në nder të Charles Telford Erickson, misionarit, edukatorit dhe themeluesit të shkollës bujqësore, një figurë e pazëvendësueshme në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, por ndërsa figura e tij përdoret si dekor për propagandë, e vërteta është krejt tjetër. Vetëm pak metra larg shkollës që mban emrin e tij, ndodhet kinemaja e ndërtuar nga amerikanët, sot e braktisur dhe e lënë në mëshirë të rrënimit. Ky kontrast i dhimbshëm e nxjerr zbuluar hipokrizinë e institucioneve nga njëra anë nderime e fjalime, nga ana tjetër mungesë respekti dhe moskujdes ndaj veprës dhe trashëgimisë së Ericksonit, i cili solli emancipim, dije dhe modernitet në një vend që sapo po dilte nga shekujt e errësirës osmane.
Diplomati dhe studiuesi Mal Berisha, i cili ka hulumtuar thellësisht jetën dhe veprën e Ericksonit, ka ngritur zërin për këtë gjendje alarmante. “Lënia në këtë gjendje katastrofike e këtij objekti që është muri i parë i ndërtuar nga amerikanët në Shqipëri është jashtëzakonisht keq,” thotë ambasadori Berisha, duke e cilësuar si një plagë që dëmton kujtesën dhe historinë tonë. Në një tjetër reagim të tij, ai nënvizon: “Unë kam ardhur sot dhe nuk rri dot pa ardhur përsëri, sepse është një vepër që ka ndikuar në emancipimin e zonës, por është lënë kaq keq pas dore.” Mes nderimeve formale dhe realitetit të hidhur të braktisjes, mbetet një pikëpyetje e madhe nëse do të mbeten fjalët për Ericksonin vetëm për shoë politik, apo do të shoqërohen me veprime konkrete për të mbrojtur trashëgiminë që ai i la vendit.