Aksidenti me dy të vdekur në Krumë, arrestohet shoferi 19-vjeçar, ishte pa patentë në timon

Policia e Kukësit arreston shoferin e dyshuar që shkaktoi aksidentin tragjik me dy persona të vdekur, mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Golaj-Krumë.

Në pranga ka rënë 19-vjeçari me inicialet A.L., banues në fshatin Nikoliq. Adoleshenti në momentin e ngjarjes e drejtonte makinën e tij pa patentë.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë A. L., 19 vjeç, banues në fshatin Nikoliq, pasi nga përplasja e automjetit që ai drejtonte pa leje drejtimi me automjetin me drejtues N. S., 68 vjeç, banues në fshatin Vlahën, humbën jetën shtetasi N. S. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi Z. N., 64 vjeç, banues në fshatin Nikoliq”, bën me dije policia vendore.

Hetimet e mëtejshme për këtë rast i kaluan Prokurorisë Kukës, teksa pritet edhe ekspertimi autoteknik për aksidentin.

LEXO EDHE: EMRI/ Rëndohet bilanci nga aksidenti në aksin rrugor Krumë-Golaj, ndërron jetë edhe pasagjeri

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme në Has, konkretisht në rrugën Krumë-Golaj, ku dy automjete tip ‘Benz’ u përplasën me njëra-tjetrën.