SYRI TV/ Banorët e unazës së re prej 9 ditësh pa ujë: Nuk na japin asnjë shpjegim

Thellohet edhe më tepër skandali i mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Tiranës. Zona të tëra të kryeqytetit gjatë gjithë stinës së verës kanë denoncuar mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa UKT vijon të heshtë përballë një situate të tillë. Të fundit që kanë denoncuar mungesën e ujit, janë banorët e Unazës së Re. Prej 9 ditësh, mbi 100 familje nuk kanë ujë në rubinetet e banesave të tyre, ndërkohë që në mbështetje të banorëve ka shkuar edhe deputeti i PD, Klevis Balliu 

Syri tv

Edhe pse ka që nga viti 2013 në pushtet, kryeministri Edi Rama premtonte gjatë fushatës së fundit zgjedhore ujë 24 orë për të gjithë Shqipërinë. Me fitimin e mandatit të katërt, sërish ky premtim i përsëritur nuk duket të përmbushet. Për ta vërtetuar diçka të tillë, nuk duhet të shkosh shumë larg, por mjafton që të shikosh situatën në Tiranë. Prej javësh banorët në zona të ndryshme të kryeqytetit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Të fundit që kanë denoncuar mungesën e ujit, janë banorët e Unazës së Re. Të vendosur pranë mbikalimit te Fabrika e Miellit, më shumë se 100 familje në këtë zonë prej më shumë se 9 ditësh vuajnë mungesën e ujit. Ata theksojnë se detyrohen të blejnë bidona uji në dyqanet e lagjeve për të plotësuar nevojat, ndërsa shtojnë se faturat i paguajnë rregullisht

Në mbështetje të banorëve ka qenë edhe deputeti i PD, Klevis Balliu i cili ka theksuar se institucionet përkatëse duhet urgjentisht të marrin masa për furnizimin me ujë të këtyre banorëve.

Banorët e kësaj zone por edhe deputetit Balliu kanë theksuar se nëse problemi i furnizimit me ujë nuk merr zgjidhje, ata do të përshkallëzojnë protestat.