Banorët e unazës 9 ditë pa ujë, Balliu: PD mbështet kërkesat e tyre, lidhjet e paligjshme i ka bërë qeveria

Banorët e zonës së Unazës së Re kanë të paktën 9 ditë që nuk kanë ujë të pijshëm në rubinetet e shtëpie të tyre. Gjatë ditës së sotme ata kanë zhvilluar një protestë në lidhje me këtë problem shumë të madh.
Ndërkohë në mbështetje të reagimit të tyre ka qenë së bashku me banorët edhe deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.

Balliu: Këta qytetarë e kanë paguar ujin. Librezën ta sjellin por ujin nuk ta sjellin. Këtu ka lidhje të paligjshme. Po pati lidhje të paligjshme i ka bërë qeveria, të shkojnë të fusin në burg Edi Ramën dhe jo qytetarët. Se po ju paralajmëroi se, çdo qytetar që na ndjek, përfshi edhe qytetarët këtu, ky kërkon të nisi skemën e vjetër që nisi me energjinë elektrike që arrestonte qytetarë që nuk kishin paguar 35 mijë lekë drita dhe vranë veten në burg. Ndërkohë këta që i kanë institucionet nga OSHEE e te tjera me qindra milionë euro borxhe, këta nuk futen në burg.

Një thirrje kam për të gjithë ata, qoftë të ujësjellësit e qoftë të të gjithë institucioneve të tjera të vijnë tu japin ujin qytetarëve siç ju takon. Qytetarët duhet të kenë ujë 24 orë. Është e turpshme që 200 metra nga ana tjetër është uji 24 orë, kurse këtu nuk ka ujë. Si mundet në kryeqytetin e Shqipërisë të asaj Shqipërisë me satelitin 1 dhe satelitin 2 të mos ketë ujë. PD do ti mbështesë dhe do të kërkojmë me një shkresë zyrtare informacion. Në qoftë se duan të heqin një linjë, pse nuk sjellin një linjë të re që ata të kenë ujë. E shikoni çfarë po kërkojnë shqiptarët sot, ujë, dhe nuk e kanë, leri më të tjerat. Pra u shpreh mbështetjen e plotë qytetarëve dhe sa here të duan do të më kenë në mbështetje të tyre.