Inflacioni i gushtit godet familjet shqiptare: rriten ushqimet dhe qiratë, rroga nuk mjafton më për asgjë
Çmimet e konsumit vijojnë të rëndojnë xhepat e qytetarëve. Në gusht 2025 inflacioni shënoi 2,3%, me rritjen më të fortë të çmimeve tek ushqimet dhe qiratë – dy kategori bazë që prekin drejtpërdrejt familjet shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me +0,85 pikë përqindje në rritjen vjetore të inflacionit, ndërsa “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,63 pikë përqindje. Brenda ushqimeve, çmimet e vajrave dhe yndyrnave u rritën me 6,5%, qumështi, djathi dhe vezët me 3,6% dhe mishi me 3,2%.
Këto shifra tregojnë një realitet të rëndë për shumicën e familjeve, të cilat përballen çdo muaj me rritje të pandërprera të kostos së jetesës. Ndërkohë që pagat mbeten të ulëta dhe mundësitë për kursim gjithnjë e më të kufizuara, varfëria e shtresave më të brishta po thellohet, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e nevojave bazike.