Romë, manifestim i gazetarëve kundër masakrës së kolegëve në Gaza
Nga Alba Kepi:
Në sheshin Santi Apostoli në Romë u zhvillua sot një manifestim në kujtim të gazetarëve të vrarë në territorin e Rripit të Gazës.
Manifestimi u organizua nga Urdhri i Gazetarëve të Lazios dhe Shoqata e Gazetarëve të Mesdheut, me pjesëmarrjen e Këshillit drejtues të Urdhrit, përfaqësuesve të organizatës Articolo 21, si dhe një sërë shoqatash dhe organizatash të shoqërisë civile.
Sipas të dhënave të Association Press në 22 muajt e fundit janë vrarë 245 gazetarë në Gaza, shumica prej tyre teksa kryenin detyrën profesionale për të informuar publikun ndërkombëtar mbi zhvillimet në terren.
Në orën 12:00, manifestuesit kryen një akt simbolik dhe emocional: leximin e emrave të të gjithë gazetarëve të rënë. Një gjest solemn për të nderuar kujtimin e tyre dhe për të riafirmuar parimin themelor se e drejta për të informuar dhe për t’u informuar është e drejtë universale dhe e pacenueshme.
“Të informosh nuk është krim. Goditja ndaj gazetarëve është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së qytetarëve për të njohur të vërtetën”, u tha në deklaratën përmbyllëse të organizatorëve.
Manifestimi u cilësua si një akt kujtese, proteste dhe angazhimi civil, që shkon përtej kufijve gjeografikë, në mbrojtje të një vlerë themelore të çdo shoqërie demokratike: lirisë së shtypit.
Ngjarje të ngjashme janë zhvilluar njëkohësisht edhe në qytete të tjera italiane, si pjesë e një mobilizimi kombëtar për drejtësi dhe transparencë.
Organizatorët kërkuan një hetim ndërkombëtar, të pavarur dhe të besueshëm mbi vrasjet e gazetarëve në Gaza, duke theksuar nevojën për ndëshkimin e atyre që shkelin të drejtën humanitare dhe lirinë e medias.