Berisha:Thirrje FBI-së, Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, Kongresit dhe Senatit, të hetojnë superskandalin Rama–McGonigal! Altin Troplini po bllokon hetimin

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama është përfshirë në një nga skandalet më të mëdha ndërkombëtare, i cili përfshin shërbimet inteligjente më të fuqishme të globit, si FBI, rrjetet ruse dhe ato kineze.

Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit Amerikan të Drejtësisë e paraqet Ramën si një aktor kyç në lojën agjenturore që ka tronditur SHBA-të dhe vendet e tjera të mëdha.

Ai ngriti akuza të rënda për marrëdhënie të errëta me kompani kineze dhe koncesione të dyshimta, duke i bërë thirrje FBI-së, Kongresit dhe Senatit amerikan të nisin një hetim të thelluar mbi këtë çështje.

Sipas Berishës, Partia Demokratike zotëron një dosje me prova të forta që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të aferës, por që prej tre vitesh mbahet në sirtar nga prokurori Altin Troplini, për të mbrojtur Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij.

Pjesë nga deklarata:

Por ku del përveçse me Dorian Duçkën, Edi Rama në dosjen kineze?
Në dosjen kineze Edi Rama është më i hershëm.
Në vitin 2015, një aeroplan special, i veçantë, i agjencisë së zbulimit të Kinës, për aq sa vlerësohet tani CEFC, vjen në Rinas dhe merr Edi Ramën në një fluturim 13-15 orë Tiranë-Hong Kong.
Dhe, po kjo kompani, presidenti dhe kryetari i fondacionit që do dënoheshin më vonë në SHBA sepse kishin korruptuar në Afrikë politikanë, për ata që thonë se ligji amerikan nuk vepron, ligji amerikan vepron kudo që është korrupsioni.
Pra, për korruptimin e liderëve afrikanë, u arrestuan të dy në një operacion të përsosur të organizuar nga FBI, duke bajpasuar si McGonigalin, ashtu edhe burimet e tyre të tjera, dhe Dorian Duçkën.
Edi Rama, pikërisht me avion special të këtyre, të kryetarit Jang Xemin dhe Patrick Ho, ndërmerr fluturimin Tiranë-Hong Kong.
Dhe jo vetëm kaq, por kompania me interesa të thella nafte në Shqipëri, i prenoton, i paguan shpenzimet e ekspozitës së shkarravinave, të cilat, me pikturat gjoja të Edi Ramës, në sallën më prestigjioze të Hong Kongut, ku metri katror në mure për ekspozim, kushton qimet e kokës dhe aty varen shkarravinat e Edi Ramës, të cilat për nivelin artistik, siç kanë vlerësuar dy kritikë të njohur të artit të Bienales së Venecias, janë të një cilësie të shkarravinave të një adoleshenti të droguar.
Ky është vlerësimi artistik i një mediokri që nuk ka ekspozuar kurrë në jetën e tij, përveçse kur u bë kryeministër.
Për të vjedhur, nuk ka njeri në botë që të ketë dorë në vjedhjen e veprave të artit, ikonave siç ka ky. Shitës ikonash të vjedhura.
Po vetë, asnjë krijim. Ky është dimensioni.