Berisha: Dimensioni kinez i skandalit Rama-McGonigal i tejkalon të gjitha dimensionet e tjera. Faktet janë shkatërrimtare

Kreu i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ngriti alarmin për një prej skandaleve më të mëdha të dekadës, duke e cilësuar Edi Ramën si “lojtarin kryesor” në një superskandal që ka përfshirë shërbimet inteligjente më të fuqishme të globit: FBI-në, shërbimin rus dhe atë kinez.

Duke iu referuar raportit të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, Berisha tha se përfshirja e Ramës nuk është thjesht një episod i rastësishëm, por pjesë e një loje të gjerë agjenturore, ku dimensioni kinez e bën edhe më tronditës këtë skenar.

Sipas tij, zbulimet kineze nëpërmjet agjentit McGonigal, të njohur si “Një Sy”, kanë siguruar informacione tepër sensitive mbi ndjekjen e drejtuesve kryesorë të korporatave energjetike kineze, ndërkohë që në këtë skemë shfaqet edhe emri i kryeministrit shqiptar.

Pjesë nga deklarata për mediat:

Mediat ndërkombëtare komentojnë gjerësisht faktin se, kreu i organizatës kriminale shqiptare apo kryeministri i narkoshtetit shqiptar, gjendet në vorbullën e superskandalit që përfshin shërbimet më të mëdha inteligjente të planetit, FBI-në, shërbimin rus dhe atë kinez.

Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë paraqet Edi Ramën si lojtar kryesor në lojën agjenturore më të fuqishme të kohës.

Duhet ta pranojmë se dimensioni kinez i kësaj loje tejkalon të gjitha dimensionet e tjera.

Fakte shkatërrimtare për Edi Ramën edhe në dimensionin kinez të kësaj loje.

Kur them dimensioni kinez, them se zbulimet kineze, nëpërmjet atij që e quanin ‘Një Sy’, që ishte agjenti i tyre McGonigal, arritën të marrin të dhënat më sensitive të ndjekjes së drejtuesve kryesore të kompanisë, konglomeratit energjetik të Kinës, Patrick Ho dhe Jang Xemin. I pari kryetar i fondacionit të kësaj korporate, i dyti kryetar i korporatës.

Por, në këtë mes ndodhet edhe Edi Rama.