Hollivudi është në luftë me vetveten për Gazën

Nga Sharon Waxman - NYT/

Gaza e ka vënë Hollivudin kundër vetvetes. Dhe ndërsa sezoni i filmave seriozë nis me Festivalin e Filmit në Venecia dhe atë në Toronto, ndasitë që ka shkaktuar rikthehen në qendër të vëmendjes.

Dhuna brutale që filloi pothuajse dy vite më parë, me 7 tetor 2023, e ka ndarë komunitetin e industrisë së argëtimit si pak çështje të tjera në dekadat e fundit, me pasoja të dhimbshme. Ndryshe nga aparteidi i Afrikës së Jugut apo edhe lufta në Ukrainë, çështje mbi të cilat industria progresiste mund të bashkohej, konflikti mes Palestinës dhe Izraelit mbetet një vijë e kuqe, me bindje të thella dhe të zemëruara nga të dyja anët. Dokumentari "No Other Land", që portretizonte shtypjen në Bregun Perëndimor, fitoi vlerësime vitin e kaluar dhe në fund edhe një Oskar, por shkaktoi aq shumë polemika sa distributorët nuk donin të merreshin me të.

Si mbështetësit e Palestinës ashtu edhe ata që mbrojnë Izraelin ndihen të persekutuar për qëndrimet e tyre, ose kanë frikë se do të ndihen. Që në fillim, ka pasur fjalë për ndëshkime kundër atyre që shprehnin hapur mendimet e tyre.

Festivali i Filmit në Venecia u hap muajin e kaluar me një protestë masive në rrugë, bashkë me thirrjet e një grupi kineastësh dhe artistësh ndërkombëtarë për të marrë një "qëndrim të qartë dhe të pa ekuivok" kundër "gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza dhe spastrimit etnik në Palestinë të kryer nga qeveria dhe ushtria izraelite." Grupi gjithashtu kërkoi që festivali të anulonte ftesat për aktorët e filmave premierë aty, përfshirë yjet e "In the Hand of Dante", Gal Gadot, izraelite, dhe Gerard Butler, i cili kishte bërë deklarata në mbështetje të Izraelit.

Organizatorët e festivalit, si edhe regjisori i "Dante", Julian Schnabel, u përgjigjën duke u përpjekur ta rikthenin fokusin tek filmat. As Gadot dhe as Butler nuk u tërhoqën zyrtarisht, por asnjëri prej tyre nuk mori pjesë.

Ndërkohë, "The Road Between Us: The Ultimate Rescue", një dokumentar nga kineasti kanadez Barry Avrich, tregon historinë e një gjenerali izraelit në pension, Noam Tibon, i cili niset me urgjencë nga Tel Avivi drejt kibucit Nahal Oz për të shpëtuar fëmijët dhe nipërit gjatë sulmit fillestar të Hamasit. Premiera e tij është parashikuar për të mërkurën në Festivalin e Torontos.

Thuajse nuk ndodhi. TIFF e kishte planifikuar filmin, por më pas e hoqi, duke thënë se pamjet e Hamasit nga sulmi nuk ishin pastruar. Pas një peticioni të nënshkruar nga mbi 1000 figura të industrisë së argëtimit, përfshirë Amy Schumer-in dhe Debra Messing-un, që akuzonin festivalin se po heshtte zërat hebrenj, TIFF e riktheu filmin në program.

Venecia dhe TIFF, që u hap të enjten e kaluar, shënojnë nisjen jozyrtare të sezonit vjetor të çmimeve. Yjet, studiot dhe shumë prej atyre që kanë rëndësi në Hollivud marrin pjesë, së bashku me shumicën e mediave botërore. Trazirat publike që shoqërojnë këto dy festivale përmbledhin dilemat e botës së filmit: në një industri që supozohet se mbron lirinë e shprehjes, madje e kërkon atë për të mbijetuar, Gaza është bërë një çështje që mezi mund të përmendet.

Në njërën anë është një komunitet hebre i mirëvendosur dhe i kujdesshëm, që dyshon, jo pa prova, se tregimet që e paraqesin Izraelin në mënyrë dashamirëse janë të padëshiruara dhe se kërcënimi në rritje i antisemitizmit po shpërfillet nga kolegët progresistë.

Në anën tjetër është një grup artistësh dhe drejtuesish politikisht të vetëdijshëm, përfshirë një brez më i ri hebrenjsh, të cilët janë të tmerruar nga masakrat në Gaza, por kanë frikë se mbështetja publike për palestinezët mund të dëmtojë karrierën e tyre. Susan Sarandon foli në një tubim pro-palestinez dhe u shkarkua nga agjencia e saj e talenteve. Melissa Barrera u përjashtua nga roli i saj në sagën "Scream" pasi postoi kritika ndaj reagimit ushtarak të Izraelit me 7 tetor dhe duket se miratoi një teori konspirative se hebrenjtë kontrollojnë median.

Ylli i "Borëbardhës", Rachel Zegler, postoi: "dhe gjithmonë mos harroni, liri për Palestinën" gjatë promovimit të hershëm të filmit në gusht 2024. Ajo vazhdoi të mbronte qëndrimet e saj në tapetin e kuq me daljen e filmit në fillim të këtij viti. Sigurisht, drejtuesit e Disney besojnë se kjo nuk e ndihmoi "Borëbardhën", e cila bëri vetëm 206 milionë dollarë në të gjithë globalin. Zegler së fundmi u shfaq në skenë në Londër me "Evita", por sipas vendimmarrësve të Hollivudit, ajo nuk përzgjidhet në filma pasi lufta në Gaza është një çështje që askush në biznes nuk do që një prej yjeve të tij ta diskutojë.

As mbrojtja e Izraelit nuk është pa pasoja. Mayim Bialik, një mbështetëse e zëshme e Izraelit, humbi rolin e saj si prezantuese e "Jeopardy" në dhjetor 2023, dhe disa thanë me zë të ulët se kjo erdhi për shkak të aktivizmit të saj. Gadot, e cila luajti bashkë me Zegler te "Borëbardha", dha një intervistë këtë verë në televizionin izraelit ku tha hapur (por në hebraisht) atë që më parë e kishte shmangur: "Ajo që po ndodh në shumë industri dhe gjithashtu në Hollivud, është se ka shumë presion mbi të famshmit që të flasin kundër Izraelit." Ashtu si Zegler, edhe karriera e Gadot duket se është ngadalësuar.

Unë njoh drejtues studiosh, producentë, aktorë dhe agjentë që besojnë se janë tradhtuar nga lëvizja progresiste që e kanë mbështetur për dekada, për shkak të akuzave të saj për gjenocid dhe dështimit për të denoncuar antisemitizmin. "Kushdo që flet në mbrojtje të Izraelit, shtypet në heshtje," tha Ari Ingel, menaxher muzike që udhëheq grupin Creative Community for Peace, i cili sponsorizoi peticionin për ta rikthyer "The Road Between Us" në programin e TIFF. Ai tha se "pas 7 tetorit ne kishim një letër dhe të gjithë, nga Antoine Fuqua te Jerry Seinfeld dhe Chris Pine, nënshkruan." Tani, sipas tij, është shumë më e vështirë të marrësh nënshkrime për letra të ngjashme. "Ka një efekt heshtjeje."

Askush nuk dëshiron të hapë polemika tani. Por Hollivudi gjithmonë e ka përpunuar politikën përmes tregimit të historive njerëzore. Ingel më vuri në dukje se festivali i TIFF përfshinte katër filma që tregonin histori palestineze, dhe për këtë arsye ai është i lumtur që grupi i tij fitoi betejën për të vendosur edhe "The Road Between Us". Një prej atyre katër filmave, drama për Gazën e regjisores Kaouther Ben Hania, "The Voice of Hind Rajab", fitoi çmimin e dytë të jurisë së madhe në Venecia.

Të dyja bëjnë atë që filmat dinë të bëjnë: e fusin publikun në përjetimet dhe humanizmin e të tjerëve, jo të vetes. Hollivudi nuk duhet të ketë kurrë frikë ta bëjë këtë. / New York Times - Syri.net