Tentoi të ndalojë rrjetet sociale, protestat e përgjakshme detyrojnë kryeministrin e Nepalit të japë dorëheqjen
Kryeministri i Nepalit, K.P. Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen pas trazirave të përgjakshme që lanë pas vetes 19 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur gjatë protestave masive kundër korrupsionit dhe censurës së internetit.
Protestuesit, të kryesuar kryesisht nga të rinjtë, dolën sot sërish në rrugët e Katmandus dhe qyteteve të tjera, duke sfiduar ndalimin e pakufizuar të qarkullimit, që ishte vendosur pas protestave të djeshme.
Ata hodhën parulla kundër qeverisë dhe kërkuan drejtësi për viktimat.
Përdorimi i dhunës nga autoritetet gjatë përleshjeve në afërsi të parlamentit, përfshirë gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj protestuesve që tentuan të hynin në ndërtesën e kuvendit, ka shkaktuar reagime të ashpra brenda dhe jashtë vendit.
Për pasojë, qeveria hoqi ndalimin e rrjeteve sociale, si Facebook, të cilat ishin bllokuar javën e kaluar me arsyetimin se nuk ishin të regjistruara në listat zyrtare të shtetit. Sipas autoriteteve, platformat janë sërish funksionale.
Ndërkohë, masat e jashtëzakonshme mbeten në fuqi në kryeqytet: shkollat dhe bizneset janë të mbyllura, ndërsa grumbullimet publike janë të ndaluara pa afat.
Sipas dëshmitarëve, protestuesit djegën goma në rrugët kryesore të Katmandus dhe kërkuan ditë zie kombëtare për viktimat e dhunës së djeshme.