Ish-kryeministri i Tajlandës dënohet me burg, akuzohet për korrupsion gjatë kohës kur ka ushtruar detyrën

Gjykata më e lartë e Tajlandës ka vendosur që ish-kryeministri Thaksin Shinawatra duhet të vuajë një vit burg, në një tjetër goditje për dinastinë e fuqishme politike që ai përfaqëson, raporton BBC. 

Vendimi u mor pasi u konstatua se ai kishte shërbyer një pjesë të një dënimi të mëparshëm me burg në një spital në mënyrë të paligjshme, dhe për rrjedhojë duhet ta vuajë këtë dënim në burg.

Rasti lidhet me një dënim të mëparshëm për korrupsion gjatë kohës që Thaksin ishte në pushtet.

Thaksin dhe familja e tij kanë dominuar politikën tajlandeze që nga viti 2001, kur ai u zgjodh për herë të parë kryeministër. Vajza e tij, Paetongtarn, e cila më parë ka shërbyer si lidere e partisë Pheu Thai, u shkarkua nga posti muajin e kaluar pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli fajtore për shkelje të standardeve etike. Rasti i saj lidhej me një telefonatë të përgjuar me kryeministrin e Kamboxhias, Hun Sen.

Pas vendimit të gjykatës, Paetongtarn, e cila shoqëroi babain e saj 76-vjeçar në gjykatë të martën, u shpreh për mediat se ishte “e shqetësuar” për të atin, por shtoi se ai dhe familja ishin me “moral të lartë”. Ajo premtoi gjithashtu të vazhdojë drejtimin e partisë Pheu Thai në opozitë.

Rasti i fundit ndaj Thaksin lidhet me një dënim për korrupsion gjatë periudhës së tij si kryeministër. Ai u rrëzua nga pushteti në një grusht shteti ushtarak në vitin 2006 dhe më pas kaloi disa vite në mërgim vullnetar, kryesisht në Dubai.

Kur u rikthye në Tajlandë në vitin 2023, ai u gjykua dhe u shpall fajtor për korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë mandatit të tij. Fillimisht u dënua me tetë vite burg, por pas një kërkese për falje mbretërore, Mbreti i Tajlandës ia uli dënimin në vetëm një vit.