Qytetet më të nxehta në Tokë ku jetojnë njerëzit, turistët pëlqejnë t'i vizitojnë
Qytetet më të nxehta në botë mbeten destinacione emocionuese për të jetuar ose për t’u vizituar, por temperaturat ekstreme kërkojnë kujdes të jashtëzakonshëm, veçanërisht kur ato kalojnë 40 gradë Celsius. Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregon se rreth 489,000 njerëz humbën jetën nga problemet që lidhen me nxehtësinë midis viteve 2000 dhe 2019, ndërsa ngrohja globale vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz për shëndetin publik.
Në qytete si Athina apo Darvini, masat mbrojtëse përfshijnë veshje të lehta dhe konsum të shumtë uji, ndërsa në Phoenix këshillohet kufizimi i ekspozimit ndaj diellit.
Dielli – burimi i jetës dhe sfidave klimatike
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, qytetet me klimë të moderuar si San Diego dhe Sidnei rrallë përballen me temperatura shumë të larta, por destinacione të tjera në zona të thata dhe tropikale regjistrojnë përvëlim rekord. NASA ka matur temperaturën më të lartë në Tokë në shkretëtirën Lut, ku sipërfaqja e tokës arriti deri në 70.7 °C në vitin 2005.
Megjithëse disa prej zonave më të nxehta janë të pabanuara, qytete të tëra në botë jetojnë çdo ditë nën vapë ekstreme.
Qytetet më të nxehta të banuara në botë
Athina (Greqi) – Kryeqyteti i demokracisë është një nga qytetet më të nxehta të Europës. Temperaturat shpesh kalojnë 37.8 °C, ndërsa në vitin 1977 u regjistruan 48 °C. Rekordi europian u thye në 2021 kur Siçilia arriti 48.8 °C. Dendësia e popullsisë, mungesa e gjelbërimit dhe urbanizimi e bëjnë Athinën një “furrë” moderne.
Indio (Kaliforni, SHBA) – I njohur si “Qyteti i Festivalit”, Indio përballet me temperatura mbi 41 °C gjatë verës. Vetëm disa orë larg ndodhet Lugina e Vdekjes, vendi më i nxehtë i banuar në Tokë. Pavarësisht vapës, mbi 89,000 banorë jetojnë këtu.
Phoenix (Arizona, SHBA) – Qyteti më i nxehtë në SHBA regjistroi në vitin 2024 një rekord me 113 ditë radhazi mbi 37.8 °C. Përveç nxehtësisë përvëluese, Phoenix përballet edhe me stuhi rëre dhe përmbytje, por mbetet një metropol me mbi 1.5 milionë banorë.
Xhizan (Arabia Saudite) – Në bregdetin e Detit të Kuq, ky qytet arrin mbi 35 °C edhe në janar, muajin më “të ftohtë”. Përveç temperaturave ekstreme, banorët përballen me lagështirë dhe stuhi rëre.
Sri Ganganagar (India) – I vendosur në shkretëtirën Thar, ky qytet arrin deri në 48.9 °C. Në maj 2024, India regjistroi temperaturën më të lartë ndonjëherë – 52.3 °C në Nju Delhi. Megjithatë, zonat e ujitura nga Kanali Indira Gandhi e kanë kthyer Ganganagarin në një qendër bujqësore.
Doha (Katar) – Kryeqyteti i Katarit përjeton temperatura mbi 45 °C gjatë verës, shpesh të shoqëruara me lagështirë të lartë. Megjithatë, Doha mbetet një nga qytetet më të vizituara në rajon, me mbi një milion banorë dhe miliona turistë çdo vit.
Darvin (Australi) – Ky qytet tropikal ka temperatura që rrallë bien nën 30 °C gjatë gjithë vitit. Gjatë sezonit të lagësht, lagështia arrin mbi 80%. Darvini është gjithashtu një nga zonat me më shumë rrufe në Australi.
Shkencëtarët paralajmërojnë se qytetet do të përballen edhe më shpesh me temperatura ekstreme në vitet e ardhshme, ndaj përgatitja dhe masat mbrojtëse do të jenë thelbësore për mbijetesën dhe mirëqenien e komuniteteve.