Mjekët zviceranë në grevë urie para parlamentit, kërkojnë nga qeveria një qëndrim më kritik ndaj luftës së Izraelit në Gaza
Një grup mjekësh zviceranë nisi sot një grevë urie përpara parlamentit në Bernë, duke i kërkuar qeverisë të marrë një qëndrim më kritik ndaj luftës së Izraelit në Gaza.
Protestuesit, të veshur me bluza të bardha të spërkatura me gjak të rremë dhe me stetoskopë në qafë, qëndrojnë në çifte para ndërtesës së parlamentit, duke i ndërruar çdo 24 orë.
Zvicra ka dënuar disa veprime izraelite, përfshirë sulmin ndaj një spitali muajin e kaluar, por ka shmangur hapat më të fortë të kërkuar nga mjekët dhe protestuesit e tjerë, si vendosja e sanksioneve ndaj Izraelit ose njohja e shtetit palestinez.
“Qeveria aktualisht është e qetë, joaktive, mjaft frikacake dhe i mungon guximi. Mendoj se është koha për një ndryshim,” deklaroi drejtori i Qendrës së Gjenevës për Studime Humanitare, Carl Blanchet.
Kjo protestë vjen pas valës së demonstratave në universitetet zvicerane dhe tubimeve të fundjavës, në një kohë kur uria ka përfshirë pjesë të mëdha të Gazës.
Zvicra, e njohur për neutralitetin e saj dhe lidhjet e ngushta me Izraelin, u bashkua me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, duke nxitur kritika për standarde të dyfishta. Kujtojmë se dy qytetarë zviceranë humbën jetën në sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, që ndezën luftën në Gaza.