I dërguari special i Trump vizitë urgjente në Izrael për zbutjen e tensioneve

I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme po ndërmerr sot një vizitë në Izrael për të zbutur tensionet që çuan në konfrontime të dhunshme gjatë ditëve të fundit në Jeruzalem, njoftoi një zyrtar amerikan.

“Përfaqësuesi special i presidentit Trump për negociatat ndërkombëtare, Jason Greenblatt u nis drejt Izraelit për të mbështetur përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon”, u shpreh ky zyrtar, në kushte anonimati.

Kjo vizitë vjen në sfondin e instalimit më 16 korrik nga ana e Izraelit të detektorëve metalikë në hyrje të Malit të Tempullit në Jeruzalemin Lindor të pushtuar, duke shkaktuar indinjatën e palestinezëve.

Përplasje fizike thuajse të përditshme janë shënuar mes protestuesve dhe forcave izraelite duke rezultuar tragjike me vdekjen e pesë personave dhe dhjetërave të plagosurve në mesin e palestinezëve në Jeruzalemin Lindor dhe në Çisjordaninë e pushtuar.