'Rama u përmend 15 herë në dosje, SPAK nuk e thirri'/ Burimi: Guri i provës së drejtësisë në Shqipëri është çështja McGonigal

Gazetari shqiptar që jeton dhe punon në Francë, Genc Burimi, kritikoi sot sërish qeverinë shqiptare për mosveprimin në lidhje me dosjen McGonigal. Gjatë bisedës në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Burimi theksoi se, ndonëse një ish-ministër i drejtësisë pretendonte se dosja nuk duhet të hapet sepse është gjykuar, në fakt ajo nuk është gjykuar në Shqipëri fare.

Ai shtoi se çdo proces gjyqësor ka të drejtë për revizion, dhe qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë veprime.

“Pse nuk ka të drejtë sot trupi të bëjë një revizion, një rishikim të procesit që është zhvilluar në SHBA ndaj McGonigalit? Në Shqipëri nuk po ndodh asgjë, dhe kjo tregon një mungesë totale serioziteti dhe transparence,” u shpreh Burimi.

Ai shtoi se drejtësia shqiptare nuk e ka thirrur asnjëherë kryeministrin e përmendur 15 herë në dosje, madje edhe për një dëgjese minimale, duke treguar një paaftësi të theksuar të institucioneve për të garantuar llogaridhënie.

Burimi nënvizoi se dosja McGonigal mbetet një gur prove i drejtpërdrejtë për dështimin e drejtësisë shqiptare, duke lënë një mesazh të qartë se ndërhyrjet politike dhe mungesa e veprimit janë bërë norma.

“Edhe një herë më në fund, të hapet!”- vijoi Burimi më tej.

Burimi:

Në Shqipëri mund ta përmendim, ishte një ish-ministër drejtësie që thoshte se ska pse të hapet kjo dosje sepse është gjykuar.

Jo, nuk është gjykuar, nuk është gjykuar në Shqipëri fare, mund të jetë gjykuar në Amerikë, dhe çdo proces gjyqësor që bëhet ka të drejtë për revizion, mazhoranca për shembull, në Shqipëri do të bëjë një revision gjyqësor procesit që iu bë 21 Janarit, apo jo?

Pse nuk ka të drejtë sot Trumpi të bëjë një revizion, një rishikim, procesit që i është bërë në SHBA McGonigalit?

Proces, vjen fjala se nuk pati proces, kështu që jemi komplet si të thuash në një legjitimitet që në SHBA të rihapet; është puna e Trump, dhe në Shqipëri të hapet, jo të rihapet, të hapet.

Unë prej kohësh e kam thënë se guri i provës i kësaj drejtësie në Shqipëri është dosja McGonigal.

Pra, aq kohë sa kjo drejtësi nuk thirri kryeministrin tonë të përmendur 15 herë në dosje, thjesht të paktën për një dëgjese, kjo nuk është serioze.

Edhe një herë më në fund, të hapet.