VIDEO/ SYRI TV brenda shkollës 'Gustav Mayer', të vegjlit rrëfejnë emocionet e para

Dita e parë e shkollës është e veçantë për fëmijët e klasave të para. E tillë ishte edhe për të vegjlit e klasë së parë C në shkollën 9-vjecare ‘Gustav Mayer” në kryeqytet. Mes emocioneve, frikës dhe të panjohurës, përbërësi kryesor i kësaj dite ishte gëzimi në fytyrat e fëmijëve, të cilët tashmë kanë hedhur një hap të madh drejt rrugës së dijes

Nga SYRI TV

Viti i ri shkollor, edhe pse me numër më të vogël nxënësish dhe me problematika të shumta në mbarë vendin, nis ndryshe për ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Kjo ditë është e veçantë për fëmijët e klasave të para, të cilët këtë ditë të veçantë, të mbushur me emocione, frikë nga një ambient i ri dhe i panjohur si dhe nga kurioziteti mbi atë që i pret, do ta mbajnë mend gjatë. Emocionet janë të ndryshme për secilin nxënës, por përbërësi kryesor i kësaj dite është gëzimi.

E tillë është situata në klasën e 1C, të shkollës 9-vjecare Gustav Mayer në kryeqytet. Nxënësit e kësaj klase, të emocionuar për hapin e madh që po hedhin në rrugën e dijes, shprehen se mezi po e prisnin nisjes e shkollës si dhe njohjen me mësuesit apo me njëri-tjetrin, ndërsa nuk harrojnë edhe këshillat që kanë marë nga prindërit e tyre.

E bukur në këtë ditë është se emocioni dhe kënaqësia është e trefishtë, si nga fëmijët, prindërit edhe mësuesit. Këtë gjë na e pohon edhe mësuesja e klasës së parë C, Alma Koleci, e cila përveç urimit për një vit sa më të mbarë për të gjithë nxënësit, shprehet se përballja me fëmijët e klasës së parë, është një sfidë e bukur dhe e veçantë .

Dita e parë e shkollës për fëmijët e klasës së parë është shoqëruar me aktivitete të ndryshme, në mënyrë që të vegjlit të mësohen me rutinën e përditshme, ndërsa më pas kanë qenë prindërit ata të cilët i kanë shoqëruar drejt shtëpisë, për të mbyllur një ditë të veçantë për ta.