SYRI TV/ Fshati Zëmblak në Maliq pa ujë të pijshëm, banorët protestojnë: Kemi ujë vetëm 2 orë në ditë
Mungesa e ujit të pijshëm ka ngritur në protestë banorët e fshatit Zemblak të bashkisë Maliq. Ata thonë se furnizohen me ujë vetëm dy orë në ditë ndërsa detyrohen të mbushin ujë në fshatrat përreth. Banorët thonë se shkak për këtë situatë është mungesa e investimit në ujësjellës ndërsa paralajmërojnë për përshkallëzim të protestave nëse autoritetet nuk marrin masa.
SYRI TV
Banorët e fshatit Zemblak në bashkinë Maliq kanë protestuar këtë të hënë për mungesën e ujit të pijshëm. Ata thonë se furnizohen me ujë vetëm 2 orë në ditë ndërsa detyrohen të shkojnë deri në fshatin Çangonj për të siguruar ujin e nevojshëm për konsum dhe higjienë.
Ata thonë se prej vitesh nuk është bërë asnjë investim në rrjetin e ujësjellësit, janë ankuar por institucionet nuk kanë marrë asnjë masë. Banorët e fshatit Zemblak paralajmërojnë për përshkallëzim të protestave nëse nuk zgjidhet problemi me ujin e pijshëm.
Pas protestës ka reaguar kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, i cili ka theksuar se ujësjellësi i Zemblakut është në procedurë tenderimi dhe pritet që së shpejti të nisë ndërtimi i tij. Ndërkohë ai justifikon problematikën e ujit të pijshëm me faktin se, brenda fshatit një grup banorësh kanë krijuar linja dyfishe, ku ata marrin ujë në burime të fshatit në linja të veçanta.