SYRI TV/ Nis shkolla, 'paralizohet' Tirana - Qytetarët: Situatë e përsëritur, asnjë zgjidhje

Në ditën e nisjes së vitit të ri shkollor, Tirana është përfshirë nga kaosi që në orët e para të mëngjesit. Radhë të gjata makinash janë parë në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, ku lëvizja ishte pothuajse e pamundur, ndërsa diçka e tillë ka sjellë irritimin e qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve.

Syri TV

Nisja e vitit të ri shkollor ka sjellë kaos të plotë në rrugët e Tiranës. Kryeqyteti është përfshirë nga kaosi që në orët e para të mëngjesit. Videot e siguruara si dhe vëzhgimi i kryer nga Syri Tv tregojnë radhë të gjata makinash dhe bllokim total të qarkullimit në akset kryesore të kryeqytetit për më shumë se 1 orë.

Unaza e Madhe dhe të gjitha rrugët në kryeqytet u futën në kolaps ku qarkullimi i automjeteve u paralizua. Prindërit që shoqëronin fëmijët në shkolla kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në trafik, ndërsa mungesa e menaxhimit dhe masave nga autoritetet ka rënduar më tej situatën. Vet drejtuesit e mjeteve shprehen se duhen masa konkrete për ti dhënë fund këtij problemi, i cili gjithnjë e më shumë po kthehet në një problem të madh për qytetarët.

Ashtu si çdo vit, institucionet shtetërore duken të papërgatitura. Policia Rrugore mungon në pikat kyçe, ndërsa Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për të parandaluar këtë situatë të paralajmëruar.