Milani, gati të mbyllë shitjen e Yacine Adli te Al-Shabab

Milani është shumë pranë zyrtarizimit të një tjetër largimi nga skuadra. Pas transferimit të Bennacer te Dinamo Zagrebi, radhën për t’u larguar e ka Yacine Adli, mesfushor francez me origjinë algjeriane, i cili nuk bënte më pjesë në planet e trajnerit Massimiliano Allegri.

Sipas medieve italiane, palët kanë gjetur marrëveshjen përfundimtare me klubin arab Al-Shabab. Adli pritet të firmosë një kontratë trevjeçare me një pagë që varion nga 6 deri në 7 milionë euro në sezon, një ofertë shumë e favorshme për lojtarin.

Nga ana tjetër, Milani do të përfitojë afërsisht 8 milionë euro nga kartoni i mesfushorit të lindur në vitin 2000, i cili kishte kontratë me kuqezinjtë deri në qershor. Në javët e fundit, ai ishte aktivizuar vetëm me skuadrën Milan Futuro nën drejtimin e Massimo Oddo-s, duke dhënë sinjale të qarta se e ardhmja e tij nuk ishte më në “San Siro”.

Ky transferim është një tjetër hap në revolucionin e skuadrës kuqezi gjatë merkatos verore, e cila ka shënuar fillimin e epokës ‘Allegri’. Me shitjen e Adli, Milani arrin në një total prej 164 milionë eurosh të arkëtuara nga daljet, duke forcuar buxhetin për projektet e ardhshme.