Vrasja e Kristian Kolës, ende në 'mjegull', motori i përdorur në atentat ka hyrë nga jashtë

Motori që u gjend i djegur në fshatin Vuksanë të Shkodër, i cili u përdor nga dy autorët për vrasjen e Kristian Kolës, rezultoi pa asnjë pronar në Shqipëri.

Mjeti rezulton të jetë futur në rrugë ilegale në Shqipëri. Ky fakt e bën ngjarjen akoma dhe më serioze, pasi policia ka ngritur dyshime të forta se ekzekutimi i Kolës, lidhet me veprimtarinë e grupeve kriminale në qytet.

Ndaj policia, ka kërkuar ndihmën e Interpol Tiranës, për të kryer verifikime përmes Interpolit Qëndror në Francë, me shpresën e identifikimit të pronarit dhe mësimit se kujt personi të dytë apo të tretë, ja kishte shituar apo dhuruar këtë motor.

Motori ishte djegur me benzinë, ndërsa arma e krimit ende nuk është gjendur nga policia.

Prej 4 ditësh, ngjarja e vrasjes së Kristian Kolës, me 7 plumba pistolete në qëndër të Shkodrës, vijon të qëndrojë e “mjegullt”, ku policia dhe prokuroria ende nuk kanë asnjë person të dyshuar dhe pistë konkrete.

Hetimin për këtë ngjarje të rëndë, nuk kanë qënë në gjëndje ta ndihmojnë dhe anëtarët e familjes së viktimës.Gjatë marjes në pyetje në polici, ata kanë rrëfyer se Kristian Kola ishte një puntor ndërtimi. Por nuk kanë dhënë asnjë dyshim që do sillte orientimin e policisë, për të kryer veprime hetimore mbi personat e mundshëm.

Atentati tronditi Shkodrën mbrëmjen e së enjtes, 4 shtator ku 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua pranë “Kinema Republika”, ndërsa po pinte kafe në katin e parë të një hoteli.

Dy persona të maskuar që lëviznin me motor hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa një person tjetër që ishte në tavolinë me të, nuk u prek nga plumbat.

Motivi i vrasjes deri tani mbetet i panjohur, pasi viktima nuk kishte konflikte apo precedentë penalë të rëndë. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, ku gjatë analizimit të disa pamjeve filmike, ka rezultor se autorët pas kryerjes së krimit kanë dalë nga qyteti i Shkodrës, thuajse në 2 minuta.

Disa persona janë shoqëruar në polici, ku pas marjes në pyetje ata sërisht janë lënë të lirë./Elton Qyno, Ora News/