Yammal përballë Messit, Spanja dhe Argjentina drejt 'Finalissima'-s historike në Montevideo

FIFA po përgatit një ndeshje që pritet të elektrizojë botën e futbollit: Spanja dhe Argjentina mund të përballen në mars 2026 në “Estadio Centenario” të Montevideos, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës. Stadiumi legjendar, ku u luajt finalja e parë e Botërorit në vitin 1930, pritet të mbyllë historinë e tij me një duel mes kampionëve të Europës dhe Amerikës.

Përplasja, e njohur si “Finalissima”, është parashikuar në periudhën 26-31 mars, të vetmet data të lira në kalendarin e FIFA-s, të rezervuara për ndeshjet e play-off-it. Argjenina dshe Spanja - që kanë pothuajse të siguruar kualifikimin në Botërorin e 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada -  po diskutojnë detajet organizative me Federatat përkatëse. Ndeshja do të zhvillohet pak muaj para shortit të fazës finale, më 5 dhjetor në Uashington.

Ideja e këtij takimi u hodh fillimisht gjatë Kongresit të 75-të të FIFA-s në Asunción, me presidentin Gianni Infantino dhe kreun e UEFA-s Aleksander Ceferin që inkurajuan Federatat e Spanjës dhe Argjentinës të gjenin një datë të përbashkët. Montevideo shihet si destinacioni më simbolik, megjithëse edhe Katari, Londra dhe Miami kanë shprehur interes.

Ky do të jetë edicioni i dytë i “Finalissima”-s moderne, që zëvendësoi Kupën ‘Artemio Franchi’. Në vitin 2022, Argjentina mposhti Italinë 3-0 në Wembley, ndërsa më parë u zhvilluan vetëm dy edicione: Francë-Uruguai (1985) dhe Argjentinë-Danimarkë (1993).

Përballja e ardhshme pritet të ketë një magnetizëm të veçantë: Messi, në ndoshta shfaqjen e tij të fundit në një turne të madh, përballë Lamine Yamal, ‘yllit’ të ri spanjoll që po mahnit botën. Një ndeshje e madhe, që bashkon të shkuarën dhe të ardhmen e futbollit.