Shkodër - Ragip Gila dyshohet se veproi i vetëm/ Hetuesit ende s'e kanë marrë në pyetje, Brajoviç dërgohet tek Trauma

Detaje të reja janë mësuar pas masakrës në Shkodër ku mbetën dy të vrarë e dy të tjerë u plagosën.

Gazetari i Syri tv, Fatjon Gjinaj mëson se Ragip Gila ka vepruar i vetëm për të kryer masakrën e ndodhur mëngjesin e sotëm në zemër të Shkodrës, me bilanc dy viktima e dy të plagosur. Ky është konkluzioni i deritanishëm nga hetuesit e kësaj ngjarje që tronditi kryeqendrën e veriut. Sipas burimeve nga grupi hetimor, deri më tani nuk evidentohet të jetë ndihmuar nga dikush, kjo sa i takon vëzhgimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë.

28 - vjeçari kishte 5 muaj që ishte liruar nga qelia, ndërsa prej 6 dhjetorit 2023 mbahej në burg për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Në banesën ku jetonte iu gjetën sende që ka dyshime se përdoreshin për qëllime kriminale, përfshirë 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Vendimi i lirimit të tij mban datën 04.03.2025, kur është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, por Gjykata e Shkodrës e ka pezulluar vendimin duke e dërguar për një afat 5 vjeçar me kusht të mos kryejë lë vepra penale. Ai u dënua me 5 vite por përfitoi zbritjen me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar vetëm për lëndë narkotike, ndërsa në rrethana ende të panjohura, nuk dihet se si atij nuk iu atribuan veprat e tjera.

Burime nga blutë e Shkodrës thanë se Gila ende nuk ka dëshmuar para Oficerëve të Policisë Gjyqësore, që shpresojnë të marrin dëshmi me vlerë për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.

Si pasojë e sulmit që dyshohet se kishte shënjestër Erogen Vaso Alias Brajoviç, që mbeti i plagosur dhe është dërguar në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje stabël dhe koshient, humbën jetën nga të shtënat, Armando Pali, ish-anëtar këshilli bashkiak dhe ish-punonjës i IMT si dhe shoferi shënjestrës Liridon Kraja alias Lushi. E plagosur bashkë me Brajovoçin mbeti edhe kamerierja e lokalit Meri Kaceri e cila sipas bluzave të bardha ka kaluar rrezikun për jetën.

Ragip Gila hyri në lokalin shumë pak matra larg Bashkisë së Shkodrës, dhe nisi të qëllojë me armë, në drejtim të tavolinës ku ishte ulur Erogen Vaso (Brajoviç), vëllai i një subjekti me rekorde kriminale, nën akuzë për vrasje te dosja “Metamorfoza” në dëm të Gjin Boriçit. Për ngjarjen e sotme Policia po heton në dy pista, konfliktin e mundshëm mes palëve për motive të panjohura deri tani, si dhe pista e dytë, vijim e sagës përgjakëse në kryeqendrën e veriut mes grupeve kriminale. 

Paraprakisht policia ka krijuar një itinerar të lëvizjes së autorit, i cili ka mbërritur me motor dhe skafandër në vendin e krimit. Pasi ka kryer qitjet me armë zjarri automatike, është larguar drejt motorit, ku për arsye të paqarta e ka lënë pas disa metrash të ndezur dhe është larguar në këmbë. Pas 300 metra ka kërcënuar një drejtues mjeti dhe me këtë automjet i është drejtuar aksit përkrah shinave të trenit pranë lumit Kir ku ka bërë edhe aksident. Ai ka lënë mjetin dhe ka tentuar të kalojë lumin, ku edhe është neutralizuar dhe arrestuar nga policia. Qëllimi kriminal i kësaj ngjarje ende mbetet mister ku nuk përjashtohet as pista e pajtimit të tij nga palë të interesuara për ekzekutimin e Erogen Vasos.