Vdekja e 58-vjeçarit në Maliq/ Akuza e familjarëve: Nuk ishte aksident, e kanë vrarë!

Një 58-vjeçar nga fshati Rëmbec i Maliqit, Jorgo Ajredini, ndërroi jetë në QSUT pas plagëve të marra në kokë. Ai ishte dërguar më 13 gusht fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë për trajtim të specializuar, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Policia e Korçës e ka regjistruar fillimisht rastin si aksident, duke dyshuar se Ajredini ishte goditur nga kali. Por familjarët e tij këmbëngulin se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale. Ata thonë se 58-vjeçari u gjet pranë fushës së sportit të fshatit, në një kanal, me plagë në ballë dhe pas veshëve – dëmtime që sipas tyre nuk përputhen me një aksident me kafshë.

Sipas familjarëve, Ajredini kishte pasur një konflikt të hershëm për motive familjare me një banor të fshatit dhe dyshojnë se është goditur me sende të forta. Dyshimet janë forcuar edhe nga fjala e fundit që viktima i ka thënë vëllait, Agustin Ajredini: “Më goditi një person i shkurtër nga Pogradeci.”

Pak orë më pas gjendja e tij u rëndua dhe ra në koma.

Agustin Ajredini tregon se ditën e ngjarjes ishte bashkë me vëllain, i cili po shkonte të lidhte kalin në jonxhë. “Pas pak erdhi kushëriri dhe më tha ‘është goditur vëllai nga kali’. E pyeta dhe më tha: ‘S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci’. Dua të vërtetën, policia nuk ka bërë asgjë,” shprehet ai.

‘Kam qenë në Rëmbec bashkë me vëllanë. U ndamë aty. E gjeta duke pirë ndonjë gotë te muzeumi, tek klubi. Vëllai mori kalin dhe shkoi ta lidhte në jonxhë, unë ika në shtëpi. Vjen kushëriri, më zgjon dhe më thotë: “Është goditur vëllai nga kali.” Shkuam 45 minuta para se ta nisnin në Tiranë. E pyeta vëllain dhe më tha: “S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci.” Shkova në Tiranë një ditë, të nesërmen e denoncova në Maliq; çështja ishte shumë e rëndë. Ishte në gjendje kome; doktorët e ngritën lart, sepse ishte pak më mirë. “Më goditi,” tha vëllai, por s’qe i vetëdijshëm. Pastaj vajti prapë poshtë dhe e ngritën përsëri. Fundi ja ku është… Me pak fjalë e kanë goditur. Në vendin që duhej lidhur kali nuk ishte kali; ai duhej të ishte në jonxhë. Atij i bënë pritë. Kur tha “më goditën” tha edhe “një i shkurtër nga Pogradeci”. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë’

Edhe Ilia Ajredini thotë se e gjeti vëllain me plagë në kokë, pas veshëve dhe në nofull. “Kjo nuk është goditje kali. Ka pasur një konflikt me një djalë nga fshati. Vëllai ndenji 15 ditë në koma, mjekët thanë se ishte në gjendje të rëndë. Ne po e varrosim, por duam zbardhjen e ngjarjes,” shton ai.

‘Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rëmbec të Korçës. E gjetën kushërinjtë tanë dhe e sollën në Korçë. U tha se e kishte goditur kali. Vëllain e gjetën të hedhur në kanal; në dy vende kishte gjak dhe 4-5 metra më larg gjetën vëllain. E sollën në Korçë. Në kohën që do ta çonin në Tiranë, vëllai tha që nuk e kishte goditur kali, por e kishte goditur një njeri nga Pogradeci. Doli gjak nga goja dhe nuk mundi të fliste dot më. Vetullën e kishte të çarë, pas veshit kishte goditje tjetër dhe në nofull gjithashtu. Kjo vërteton që nuk është goditje kali, sepse ka goditje në disa vende. Këta djemtë që kanë dhënë deklaratat ishin të parët që e gjetën. Ka pasur një konflikt me një djalë nga Rëmbeci, ai u dënua dhe bëri burg. Ishte punë dashurie, ndarje familjare. Vëllait tim ia mori të shoqen ky djalë dhe e goditi me sëpatë. Ngjarja ka mbi një vit e gjysmë. Nuk besoj të jetë i njëjti autor, por nga goditjet që pashë janë me sende të rënda, nga ato që pashë unë në spital në Tiranë. Në Tiranë ndenji 15 ditë në koma; mjekët thanë se ishte në gjendje të rëndë. Ekspertiza nuk na dha përgjigje, por prokurorisë së Korçës. Ne po e varrosim vëllain, por duam të zbardhet ngjarja. Nuk e ka goditur kali, 1000%. Kaq kisha’.

Daja i viktimës, Kostaq Kosturi, kujton se mjeku i QSUT-së, që e kishte trajtuar edhe më parë, përjashtoi mundësinë e aksidentit: “Ishte e dyta herë që e kishin goditur këtë djalë. Mjeku na tha se nuk e ka goditur kali, por mjete të forta.”

‘E çoi djali më përpara. Unë me vëllain e të ndjerit shkova në Tiranë dhe nuk dinin identitetin e nipit tim. Ia dhanë relacionin, infermierët thirrën doktorin. Kur vjen doktori thotë: “Çfarë u bë me këtë djalë? Çfarë e ke ti?” Unë i thashë: “E kam nip.” Ai e ka vëlla. “Si u aksidentua ky person?” tha doktori. Ishte e dyta herë që e kishin goditur këtë djalë; qëlloi i njëjti mjek që kishte qenë edhe herën tjetër kur e kishin goditur. Vëllai tha: “Çfarë u bë këtu, kush e ka goditur?” Ne e informuam se policia e Korçës tha se e kishte goditur kali, por ai na tha se nuk e ka goditur kali, por është goditur me mjete të forta. U nxeh duke shtuar: “Ku është policia e Korçës, pse nuk vjen këtu?” Ne i kërkuam ta shohim, por mjeku na tha: “Nesër do t’ju kontaktoj.” Pas dy ditësh e pamë; ishte në gjendje të rëndë’.

Pas vdekjes së 58-vjeçarit, policia dhe prokuroria e Korçës kanë rihapur hetimet. Janë marrë në pyetje rreth 15 persona, përfshirë familjarë dhe banorë të fshatit. Gjithashtu, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat po analizohen. Grupi hetimor është në pritje të raportit përfundimtar mjekoligjor për të përcaktuar nëse vdekja e Jorgo Ajredinit ka qenë aksidentale apo kriminale.