Juventusi, gati për sfidën me Interin, rikthim shpresëdhënës për Zhegrovën

Atmosfera në Torino është e elektrizuar ndërsa afron derbi i Italisë, përplasja mes Juventusit dhe Interit që do të shënojë testin e parë të madh për të dy skuadrat në këtë sezon. Trajneri Igor Tudor po pret me padurim rikthimin e lojtarëve të angazhuar me kombëtaret, në mënyrë që të ketë grupin e plotë në dispozicion.

Procesi i ribashkimit ka nisur: sot kanë mbërritur Kenan Yildiz, Teun Koopmeiners dhe Lois Openda. Të martën pritet të kthehen Manuel Locatelli, Federico Gatti dhe Andrea Cambiaso, ndërsa të mërkurën do të kompletohet grupi me emra të tillë si Kephren Thuram, Francisco Conceição, Dusan Vlahovic, Filip Kostic dhe Jonathan David. Kjo do t’i lejojë Tudor-it të punojë me një skuadër pothuajse të plotë, pasi edhe gjendja e infermierisë është përmirësuar ndjeshëm.

Një lajm i rëndësishëm vjen nga Edon Zhegrova. Sulmuesi anësor nuk ishte i grumbulluar me Kosovën dhe qëndroi në Torino për të vijuar stërvitjen individuale. Pas një mungese të gjatë që nga dhjetori, për shkak të një dëmtimi muskulor, Zhegrova ka dhënë shenja pozitive në seancat e para në Continassa.

Edhe pse do të duhet kohë për ta parë në formë optimale, sinjalet janë inkurajuese dhe nuk përjashtohet një thirrje e hershme për ndeshjen ndaj Interit. Ky rikthim mund të shtojë një alternativë të vlefshme në krahët e Juventusit, duke i dhënë Tudor-it më shumë mundësi zgjedhjeje për sfidën e së dielës.

Një përballje që premton emocione të mëdha dhe që mund të përcaktojë tonin e pjesës së parë të sezonit në Serie A.