‘Mbappé më telefonon çdo dy orë për Real Madridin’, mbrojtësi francez tremb tifozët e Liverpool-it
Ibrahima Konaté ka bërë që tifozët e Liverpool-it të ndihen të pasigurt për të ardhmen e tij, pas disa deklaratave me humor, por jo pa domethënie, rreth një kalimi të mundshëm te Real Madridi. Mbrojtësi francez, i cili ka kontratë me “The Reds” deri në qershor 2026, ende nuk ka nisur bisedimet për rinovim, çka nxit spekulimet për një largim të mundshëm nga Anfield.
Në një intervistë për Telefoot, gjatë grumbullimit me kombëtaren e Francës, 26-vjeçari pranoi se është pikërisht Kylian Mbappé ai që po e nxit vazhdimisht drejt “Los Blancos”:
“Më telefonon çdo dy orë për të më bindur të shkoj në Madrid”, tha Konaté mes të qeshurash, duke e lënë derën hapur për një të ardhme në “Santiago Bernabéu”.
Liverpool-i, natyrisht, e konsideron qendërmbrojtësin si pjesë të planeve afatgjata, por rreziku i humbjes së tij me parametër zero, nëse nuk arrihet marrëveshja për rinovim, e bën situatën delikate.
Nga ana tjetër, Mbappé, tashmë ‘yll’ i Real Madridit, foli edhe për disa ish-shokë të tij të PSG-së, duke i vlerësuar si kandidatë seriozë për Topin e Artë. “Dembélé e meriton, gjithmonë e kam mbështetur. Shpresoj që ta fitojë”, tha ai për sulmuesin e PSG-së, ndërsa shtoi: “Shpresoj gjithashtu që Hakimi të arrijë lart, ka bërë një sezon historik dhe do të ishte një mesazh i fortë për mbrojtësit”.
Deklaratat e Konaté-së dhe insistimi i Mbappé-së nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndezin thashethemet për një tjetër operacion të madh të Realit në merkato.