'Atentati në Shkodër, akt terrorist i mirëorganizuar'/ Bushkolaj: Dosja ‘Metamorfoza’ ndezi zinxhirin e hakmarrjeve, faturë e rënies së institucioneve

Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në edicionin informativ të mesditës në Syri TV, e cilësoi ngjarjen e rëndë që tronditi sot Shkodrën si një akt terrorist të mirëorganizuar, duke theksuar se dinamika e atentatit tregon qartë një planifikim të kujdesshëm dhe dështim të institucioneve ligjzbatuese për ta parandaluar.

“Është një ngjarje e rëndë për hir të së vërtetës në të gjitha dimensionet, qoftë për bilancin tragjik, qoftë për jetën e pafajshme që u gjend në këtë atentat. Dy personazhet që dyshohet se kanë qenë shënjestra e këtij sulmi, Erogen Vaso dhe Armand Pali, nuk janë emra të panjohur për Shkodrën. Janë figura të lidhura me politikën lokale, ndërkohë që zoti Vaso ka qenë edhe biznesmen i njohur, veçanërisht në fushën e call center-ave, ndërsa Pali punonte pranë IKMT-së,” tha Bushkolaj.

Bushkolaj theksoi se fakti që atentati ndodhi në ditën e nisjes së vitit shkollor nuk është i rastësishëm, por pjesë e një skenari të mirëmenduar: “Kjo ngjarje ka ndodhur në zemër të Shkodrës dhe zgjedhja e ditës së shkollës nuk ishte rastësore. Autorët e dinin se vëmendja e policisë dhe forcave të rendit do të ishte përqendruar tek menaxhimi i trafikut, siguria e nxënësve dhe hapja e vitit shkollor. Kjo është një provë e qartë e organizimit të lartë të këtij atentati.”

Gazetari e lidhi këtë atentat me dosjen e famshme të përgjimeve,: “Kjo ngjarje lidhet në mënyrë të pashmangshme me dosjen ‘Metamorfoza’. Që kur këto përgjime dolën në dritë, ne paralajmëruam se do të sillnin një valë tjetër hakmarrjesh. Pyetja është: Çfarë kanë bërë policia dhe autoritetet gjatë gjithë kësaj kohe? A janë marrë masa shtesë sigurie? A janë paralajmëruar personat e rrezikuar? A janë monitoruar ata që kanë të shkuar kriminale?”

Elkier Bushkolaj:

"Është një ngjarje e rëndë për hir të së vërtetës në të gjitha dimensionet, qoftë për bilancin tragjik apo për jetën e pafajshme që kemi në këtë atentat.

Dy personazhe që mendoj se kanë qenë pritë e këtij atentati, Erogen Vaso apo Armand Pali, nuk janë emra të panjohur në Shkodër, janë emra pjesë e politikës lokale në Shkodër.

Madje zoti Vaso ka qenë edhe biznesmen i njohur veçanërisht në fushën e call center-ave në Shkodër, ndërsa Pali ishte punonjës i IKMT, pra ishin dy zyrtarë përtej lidhjeve familjare apo problemeve që mund të kishin, thjeshtë dinamika e këtij atentati e bën më të rëndë.

Kjo ngjarje ka ndodhur në zemër të Shkodrës dhe fakti se kanë zgjedhur ditën e shkollës, kuptohet se ka qenë plan i mirë menduar pasi e gjithë vëmendja e policisë së shtetit do të ishte te procesi arsimor dhe te menaxhimi i trafikut apo rendi tek siguria në shkollë.

Ky është një akt terrorist në zemër të qytetit të Shkodrës dhe shifrat tregojnë qartë se nuk kemi asnjë lidhje me këta njerëz që kanë rënë pre e breshërisë së plumbave dhe uroj që të dalin sa më shpejt nga spitali dhe që bilanci të mos rëndohet, por që për fat të keq, jemi përballë ngjarjeve kriminale.

Rikujtojmë se kamariere ka qenë edhe Mimoza Paja që mbeti e vrarë, roje ka qenë edhe Pëllumb Kola që humbi jetën në Top Channel. Apo kamarieri që humbi jetën në atentatin në Memaliaj për shkak të përplasjes së dy fiseve e për fat të keq këto ngjarje sa vijnë e shtohen.

Fakti që ka shkuar sot me motor dhe më pas është larguar me BMW, tregon se kemi një atentat të mirëorganizuar, por dëshmia e të arrestuarit pritet të jetë kyçe për të kuptuar edhe rolin e bashkëpunëtorëve të tjerë pasi është e pamundur që të marrësh përsipër vetëm një atentat të tillë në një zonë të populluar të Shkodrës me lëvizje të patrulluar të policisë, pasi aty është ajo që cilësohet si hyrja e pedonales.

Kjo ngjarje në mënyrë të pashmangshme lidhet edhe me dosjen Metamorfoza, daljen e përgjimeve.

Që kur këto përgjime dolën në dritë, që në atë kohë ne patëm paralajmëruar se këto do sjellin një valë tjetër hakmarrjeje dhe pyetja që shtrohet është se: Çfarë ka bërë policia dhe autoritetet përgjatë kësaj kohe, a i kanë marrë masa të shtuara sigurie, a janë paralajmëruar njerëzit, a janë monitoruar këta persona me të shkuara kriminale?

Kjo është fatura e rënies së institucioneve ligjzbatuese, pavarësisht se Bajri i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit është ekstraduar nga Dubai dhe ndodhet në qeli, ky zinxhir hakmarrjeje do vazhdojë për sa kohë gjykata nuk do japë dënime në varësi të provave që janë kryer ndër vite".