Shenjat e hershme të Alzheimerit zbulohen për 3 minuta me një test të ri të trurit
Një test i ri i trurit mund të zbulojë shenjat e hershme të Alzheimerit disa vite para diagnozës dhe kjo vetëm për tre minuta.
Teknologjia, e quajtur Fastball EEG, u testua nga studiuesit e Universitetit të Bathit dhe Bristolit edhe në shtëpitë e pacientëve. Testi regjistron aktivitetin elektrik të trurit ndërsa personi sheh një seri imazhesh dhe synon të zbulojë shenja të dëmtimit të lehtë kognitiv (MCI), shpesh pararendës i Alzheimerit.
Ndryshe nga testet tradicionale, Fastball nuk kërkon që pjesëmarrësit të japin përgjigje apo të kujtojnë informacion, gjë që e bën më pak të ndikuar nga faktorë si ankthi, arsimi, kultura apo gjuha. Sipas dr. George Stothartit, drejtues i studimit, kjo e bën atë një mjet praktik edhe për përdorim në botën reale.
Në provë u përfshinë 53 pacientë me MCI dhe 54 të moshuar të shëndetshëm. Pas një viti, pacientët me MCI treguan reagime të reduktuara të kujtesës krahasuar me grupin e shëndetshëm, ndërsa tek të fundit rezultatet mbetën të qëndrueshme. Studimi u publikua në revistën Brain Communications.
Megjithatë, kufizimi kryesor ishte mungesa e të dhënave biomarkuese për pjesëmarrësit me MCI. Aktualisht, studime më të mëdha në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA po përfshijnë 1000 pacientë me mbulim të gjerë biomarkerësh.
Shpresa është që Fastball të përdoret në zyrat e mjekëve, klinikat e kujtesës apo edhe në shtëpi, duke lejuar diagnostikim më të hershëm dhe qasje më të shpejtë te ilaçet si donanemab dhe lecanemab, të cilat janë më efektive në fazat e hershme të sëmundjes. Rezultatet i jepen vetëm mjekut, që i përfshin në vlerësimin e përgjithshëm.
Ekspertët paralajmërojnë se Fastball nuk përcakton shkakun e humbjes së kujtesës dhe se ende kërkohen studime më të gjera e afatgjata. Sipas Christopher Weber nga Shoqata e Alzheimerit, testi ka potencial si mjet jo-invaziv për zbulimin e hershëm, por gjithsesi do të duhet të kombinohet me metoda të tjera diagnostike si skaner PET, analiza gjaku dhe teste kognitive tradicionale.
Përdorimi i mundshëm në shtëpi duhet të bëhet në mënyrë “të kujdesshme dhe të kontrolluar”, ndërsa pacientët këshillohen të diskutojnë gjithmonë me mjekun për përshtatshmërinë e testit.
Studimi u financua nga Academy of Medical Sciences dhe u mbështet nga fondacioni i kërkimeve për demencën BRACE. / Fox News - Syri.net