Gjymtimi i rrugës 'Egnatia'/ Pollo: Pse hesht Ministria e Kulturës tok me organet e varura si Instituti i Monumenteve të Kulturës
Ish deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo ka reaguar me një shënim pas publikimit të ndërhyrjeve nga ana e bashkisë Peqin në rrugën Egnatia.
Postimi:
Rruga Egnatia është një monument historik me dimension ndërkombëtar i ndërtuar nga Roma e lashtë dhe që në Shqipëri fillon në Durrës e vazhdon në Qafë Thanë përtej kufirit.
Fatkeqësisht Rruga Egnatia shfaqet e masakruar nga bashkia Peqin. Kryebashkiaku socialist Bukurosh Maçi thotë se “asfalti mund të hiqet” (një pohim indirekt i zullumit) por fotot tregojnë se kalldrëmi është futur në kallëpe betonarmeje e ka pësuar dëme të rënda strukturore dhe me gjasë të pariparueshme.
Kush thotë se Maçi aq din e aq bën duhet gjithashtu të thotë se për ndërhyrje të tilla jep viston Ministria e Kulturës përmes Drejtorisë Rajonale të Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK). Por ka pesë ditë që ka plasur ky skandal dhe qeveria/ministria dhe organet e varura heshtin!