'Me 90 mijë lekë pension s’blejmë dot as bukë, jo më fletore'/ Apeli i gjyshes nga Vlora: Si t’i çojmë fëmijët sot në shkollë?!
Me hapjen e vitit të ri shkollor 2025-2026, shumë familje shqiptare përballen me sfida të mëdha ekonomike, ndërsa çmimet e larta dhe të ardhurat e pamjaftueshme po i zhysin gjithnjë e më shumë në varfëri.
Në këtë situatë, edhe gjyshërit, të cilët tradicionalisht kanë mbështetur nipërit dhe mbesat për shkollë, ndihen të pafuqishëm.
Një pensioniste nga Vlora ka dhënë një deklarataë të dhimbshme për gjendjen ku ndodhet ajo dhe shumë të moshuar të tjerë, duke treguar se jeton me vetëm 90 mijë lekë në muaj dhe nuk ka mundësi t’u blejë fletore nipërve për shkollë.
“Jemi në vështirësi të madhe. Librat i japin falas, po nuk kemi lekë t’u blejmë fletore. Jetojmë me 90 mijë lekë, me fukarallëk, me se ja bëjmë? Duam të na rrisin pensionet se nuk i lëmë dot fëmijët në këtë gjendje. Ne mezi po hamë për vete, lëre më për fëmijët,” thotë e moshuara, me lot në sy.
Ajo thekson se situata është e padurueshme dhe kërkon që qeveria të rrisë menjëherë pensionet, sepse aktualisht. ato nuk mjaftojnë as për ushqimet bazë, lëre më për shpenzime shtesë që sjell nisja e shkollës.
“Me këto para, mezi mbijetojmë. Nuk kemi as mundësi t’u blejmë nipërve një palë rroba të reja për shkollë, jo më t’u sigurojmë çanta e fletore. Është turp për këtë shtet që na ka lënë në këtë gjendje. Nuk e di si do t’ia bëjmë më,” shton ajo e revoltuar.
Kjo dëshmi tregon realitetin e rëndë ku gjenden shumë të moshuar sot në Shqipëri, ndërsa përballen çdo ditë me çmime të larta dhe të ardhura minimale, pa asnjë mbështetje të mjaftueshme nga shteti.