Alcaraz fiton US Open dhe rikthehet numri një në botë

Carlos Alcaraz është shpallur sërish kampion në US Open 2025, duke mposhtur në finale rivalin e tij të madh, Jannik Sinner. Në një ndeshje plot intensitet e emocione, spanjolli triumfoi me shifrat 2-6, 6-3, 1-6, 4-6, duke siguruar kështu Grand Slam-in e gjashtë në karrierë dhe duke u rikthyer në krye të renditjes botërore ATP.

Në Arthur Ashe Stadium, Alcaraz tregoi fuqinë e tij që në fillim, duke dominuar me goditjen e fortë të djathtës nga qendra e fushës dhe duke fituar setin e parë me dy "break". Sinner reagoi në setin e dytë, duke shërbyer më saktë dhe duke diktuar ritmin e shkëmbimeve, çka i dha italianit shpresën për të rikthyer balancën.

Megjithatë, Alcaraz nuk u tërhoq. Me një lojë të fortë, të larmishme dhe me një kthim të saktë përgjatë vijës, ai i lejoi kundërshtarit vetëm një "game" në setin e tretë. Në setin e katërt, duke vazhduar me agresivitet në shërbim dhe duke marrë iniciativën në çdo shkëmbim, spanjolli e mbylli takimin me rezultatin 6-4, duke siguruar trofeun dhe kreun e botës së tenisit.

Ky sukses jo vetëm që e konsolidon Alcaraz-in si një prej lojtarëve më dominues të brezit të ri, por gjithashtu e vendos përkohësisht përpara rivalit të tij italian në garën për supermacinë në tenis.