Arqipeshkvi i Shkodër-Pult, Giovanni Peragine uron nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor: Dija është një dhuratë e madhe nga Zoti

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, Arqipeshkvi Metropolian i Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine, ka përcjellë një mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke e cilësuar shkollën si një vend të formimit personal dhe shoqëror.

Në mesazhin e tij, ai thekson se çdo vit i ri sjell mundësi të reja, duke e quajtur dijen një “dhuratë të madhe nga Zoti”, e cila kërkon përkushtim dhe përgjegjësi.

“Për nxënësit është një rrugëtim i ri drejt dijes dhe formimit personal, ndërsa për mësuesit është një mision i përtërirë për të mbjellë dritë në mendjen dhe zemrën e brezave të rinj”, shprehet Arqipeshkvi.

Ai shtoi se shkolla nuk është vetëm vend ku mësohen lëndë të reja, por hapësirë për ndërtimin e miqësive dhe zhvillimin e vlerave qytetare.

Në fund të urimit, Imzot Peragine uroi që ky vit të jetë i mbushur me dritë, shpresë dhe gëzim, duke bekur nxënësit, mësuesit dhe prindërit që i mbështesin.