Thiago Alcántara, ‘blerja’ e re për trajnerin Hansi Flick

Barcelona ka arritur një marrëveshje për rikthimin e Thiago Alcántara në stafin teknik të trajnerit gjerman Hansi Flick. Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Bayernit do t’i bashkohet sërish ekipit, duke plotësuar kështu strukturën ndihmëse të trajnerit.

Ky është bashkëpunimi i dytë mes dyshes. Flick e pati Thiagon nën urdhra gjatë kohës kur drejtonte Bayernin, ndërsa sezonin e kaluar ai u bë pjesë e stafit të Barcelonës për të ndihmuar trajnerin gjerman në përshtatjen me klubin dhe ambientin. Përvoja dhe njohja e mirë me skuadrën e bënë atë një figurë kyçe, megjithëse më pas u largua për arsye fiskale që e detyruan të qëndronte në Angli deri në fund të vitit.

Rikthimi i tij ishte gjithmonë i mundshëm dhe tashmë është bërë realitet. Thiago do të ketë një rol të rëndësishëm si ndërmjetës mes trajnerit dhe lojtarëve, falë eksperiencës së tij si ish-futbollist i formuar në akademinë e Barcelonës.

Ky hap shihet si një garanci më shumë për Flick, i cili e vlerëson shumë ish-mesfushorin spanjoll si njeri të besuar dhe të aftë për të ndihmuar në menaxhimin e grupit. Rikthimi i Thiagos pritet të sjellë një lidhje edhe më të fortë mes stafit teknik dhe futbollistëve në sezonin aktual.